Prestigjiozja Reuters ka shkruajtur për situatën e vështirë të zjarreve në Turqi, Greqi por dhe për vendin tonë Shqipërinë.
Sipas Reuters, zjarrfikësit u përballën të hënën me përpjekje për të shuar zjarret në tre provinca të ndryshme të Turqisë, në Greqi dhe pranë një vendi turistik në Shqipëri, të nxitura nga erëra të forta pas ditëve me temperatura përvëluese në rajonin e Mesdheut.
Tym i dendur mbuloi krahinën malore të Detit të Zi, Karabuk, rreth 200 kilometra në veri të kryeqytetit Ankara, ndërsa një zjarr pyjor që vazhdoi për të gjashtën ditë me radhë detyroi evakuimin e më shumë se një duzine fshatrash dhe dogji pjesë të mëdha pyjesh.
Në provincën veriperëndimore të Bursës, tre zjarrfikës humbën jetën të dielën kur mjeti i tyre pësoi aksident, bëri të ditur të hënën Ministria e Pylltarisë së Turqisë. Ekipet po përballeshin me dy zjarre të ndara në atë zonë të hënën, pas evakuimit të më shumë se 3,600 personave nga vendbanime në provincat jugore të Mersinit dhe Antalias.
Turqia është përballur me dhjetëra zjarre pyjore në javët e fundit për shkak të rritjes së temperaturave, dhe dhjetë zjarrfikës humbën jetën javën e kaluar duke luftuar me flakët në provincën qendrore të Eskishehirit.
Verat e nxehta dhe të thata janë të zakonshme në rajonin e Mesdheut, por valët më të forta të të nxehtit kanë kontribuar në zjarre gjithnjë e më shkatërruese vitet e fundit për shkak të rritjes së shpejtë të temperaturave globale.
Të paktën 44 zjarre janë raportuar në Greqi gjatë 24 orëve të fundit, tha shërbimi zjarrfikës të hënën pasdite.
Në ishullin jugor grek të Kithirës, erërat e forta e ndezën sërish një zjarr që kishte nisur të shtunën. Në Athinë, zjarrfikësit arritën të vinin shpejt nën kontroll një zjarr që shpërtheu në këmbët e malit Himet, pranë kampusit universitar dhe lagjeve të populluara.
Në Shqipëri, mbi 900 zjarrfikës të ndihmuar nga ushtria u angazhuan për të vënë nën kontroll një zjarr pyjor përpara se të arrinte në qytetin bregdetar të Sarandës dhe në resorte të tjera turistike në jug të vendit, përgjatë bregut të Jonit.
Policia njoftoi se rreth 13 persona janë arrestuar për vepra penale të lidhura me zjarrvënie gjatë tre ditëve të fundit.
Bullgaria, me ndihmën e disa vendeve evropiane, ka vendosur avionë zjarrfikës për të ndihmuar në shuarjen e një zjarri të madh pranë kufirit bullgaro-turk.
Deri tani, flakët kanë përfshirë rreth 16,000 hektarë në total. Sipas mediave lokale, dy persona janë ndaluar nga autoritetet që po hetojnë shkakun e zjarreve.
