Qeveria shqiptare së fundmi ka miratuar një vendim të propozuar nga Ministria e Mbrojtjes në lidhje me Forcat e Armatosura.
Një vend ky që synon të plotësojë nevojat e Forcave të Armatosura me personel të kualifikuar si dhe të hapë rrugën e rikthimit në shërbimin aktiv të ushtarakëve në rezervë.
Referuar vendimit të marrë nga Këshilli i Ministrave, ish-ushtarakët, oficerë, nënoficerë, ushtarë dhe detarë, mësohet se do të kenë mundësi të rikthehen në shërbim aktiv. Procesi i rikthimit të tyre theksohet se do të ndodhë në momentet kur strukturat përkatëse ushtarake kanë nevojë për specialitetin apo përvojën e tyre.
Në lidhje me këtë Ministria e Mbrojtjes së shpejti do të publikojë thirrjet për pozicionet e hapura në faqen e saj zyrtare.
Aplikimi mund të kryhet në mënyrë elektronike përmes portalit e-Albania.
Pas dorëzimit të dokumentacionit, kandidatët do t’i nënshtrohen vlerësimit nga komisione përkatëse.
Të përzgjedhurit do të konsiderohen ushtarakë aktivë dhe do të emërohen në detyra, duke ruajtur gradën që kanë pasur më parë deri në çasten e daljes në rezervë. Ndërsa shtohet se nuk do të kenë mundësi avancimi në gradën e tyre.
Vendimi parashikon gjithashtu se, në rast mobilizimi të pjesshëm apo të përgjithshëm, rikthimi në shërbim mund të realizohet edhe pa aplikim, me njoftim të drejtpërdrejtë nga autoritetet ushtarake.
