Rikthimi i gjuhës së luftës, ka rikthyer edhe frikën e një lufte në Ballkan. “Tensionet në Ballkan mund të përshkallëzojnë nëse nuk adresohen mosmarrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë”,-thotë ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters.
“Jemi marrë mjaftueshëm me problemet e Ballkanit për të ditur se ekziston gjithmonë rreziku për përshkallëzimin e tensioneve. Prandaj mendoj se detyra e kujtdo, duhet të jetë zbutja e tensioneve. Për të zbehur rrezikun të gjithë duhet të inkurajojmë palët te fokusohen tek ajo që do të ndodhë në negociatat aktuale“.
Tensionet mes dy vendeve u rindezën në fillim të muajit, kur do të hynin në fuqi vendimet e qeverisë së Kosovës që detyronin serbët në veri të pajiseshin me targa të lëshuara nga autoritetet e Prishtinës dhe me dokumente të përkohshme personale për hyrje daljet në Kosovë.