Trembëdhjetë policë dhe shtatë civilë u plagosën gjatë trazirave të së martës mbrëma në Beograd, për shkak të paralajmërimeve për rikthimin e masave të izolimit dhe bllokimit për një afat dy javorë.
Autoritetet kanë raportuar se të gjithë të plagosurit u transportuan në Akademinë Mjekësore Ushtarake.
Përleshjet shpërthyen pasi një grup protestuesish u përpoq të hyjë në ndërtesën e Kuvendit të Serbisë, duke bërë që policia të hidhte gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.
Turma pranë hapësirës së kuvendit u shpërnda rreth orës 1:30 pas mesnate.
“Gjendja është alarmante”, tha Vuçiç, duke shtuar se spitalet janë të mbingarkuara me pacientë. Ai gjithashtu theksoi se duke filluar nga data 8 korrik, në Beograd do të ndalohet çdo tubim publik me më shumë se 5 persona.
Protesta e mbrëmshme që shpërtheu në Beograd, pas vendimit të presidentit Aleksandër Vuçiç për të vënë masa të reja kufizimi si rezultat i numrit të madh të infektuarve me COVID-19, nuk ka kursyer as ish-ministrin e Punëve të Brendshme të Serbisë, Vuk Jeremiç.
Ndërsa po kalonte pranë protestuesve para dyerve të Kuvendit të Serbisë, një grup protestuesish e kanë goditur me shpulla në qafë duke e cilësuar si “tradhtar për shitje të Kosovës”.