Zëvendësministri i Brendshëm i vendit Besford Lamallari i ftuar në studion e rubrikës “Opinion” në “Neës 24”, duke folur për mundësinë e kthimit së vizave nga BE për shqiptarët, deklaroi se nuk ka arsye për shqetësim. Lamallari u shpreh se Komisioni Europian e merr në fund vendimin dhe se KE ka pasqyruar një raport –progres pozitiv për vendin tonë.
“Mund të them se nga Holanda ka zyrtarë të cilët kanë mbajtur një qëndrim pozitiv ndaj Shqipërisë. Kritikat që vijnë duhen parë edhe nga fakti se në Holandë ka parti politike të djathta dhe me pikëpamje ekstremiste. Ambasada holandeze gjithashtu ka dhënë mbështetje për qeverinë shqiptare.
Zyrtarë të lartë holandezë kanë thënë se Shqipëria kë bërë punë tepër të mirë për të ndaluar emigrimin e paligjshëm. Ministri i Brendshëm holandez pati theksuar se kishte rënie të personave të dyshuar të përfshirë në kriminalitet. Raportet e Eurostat për kriminalitetin shqiptar në Europë nuk është shqetësues. Shqiptarët zënë vetëm 0.19 për qind të të dyshuarve në Holandë dhe më pak të dënuar. Kjo nuk përbën arsye që të dënojë një popull të tërë. Kriminaliteti përdoret politikisht në vendin tonë për të kritikuar qeverinë. Nuk ka arsye për shqetësim, shqiptarët lëvizin lirshëm brenda rregullave. Ai që vendos është Komisioni Europian, që vendos në fund dhe nga KE nuk ka vendim. Komisioni Europian ka dhënë shenja pozitive për vendin, ka një raport pozitiv për Shqipërinë”, tha Lamallari.