Sport Klub Burreli ka rinisur përgatitjet për vijimin e kampionatit të Kategorisë së Parë. Drejtori teknik Klevis Gjoka tha për Tirananews.al se sot drejtuesit e klubit janë takuar në mjediset e stadiumit “Liri Ballabani” dhe kanë diskutuar për marrjen e masave, për ecurinë e mëtejshme të sezonit futbollistik.
Një ditë më parë, sipas Gjokës, Bashkia Mat ka likujduar pagat e të gjithë lojtarëve dhe stafit teknik të skuadrës Burreli. Ashtu siç ishte paravendosur në fillim të kampionatit, në kontratat e nënshkruara mes futbollistëve dhe klubit, pagat janë dërguar në llogarinë e çdo lojtari. Krahas angazhimeve të shumta që ka patur pushtetit lokal, për shkak të pandemisë globale, ka menduar dhe ka financuar edhe ekipin e futbollit.
Bajram Ballabani, administrator i klubit dhe Klevis Gjoka drejtor i klubit, inpektuan sot gjendjen e terreneve sportive dhe kërkuan nga mirëmbajtësit të marrin masa të menjëhershme për kositjen e barit, pastrimit e të gjitha mjediseve dhe krijimin e mundësive që nga 10 maj skuadra të rikthehet në stërvitje, kuptohet pas vendimit që do të marrë FSHF-ja.
Katër futbollistë të huaj vijojnë të jenë të sistemuar në konviktin e ri të Burrelit. Ato janë trajtuar nga klubi me gjithçka, ndërkohë janë stërvitur herë në mjediset e shkollës së mesme “Pjetër Budi” dhe herë në aneksin e stadiumit të qytetit. Po ashtu trajneri i portierëve Kastriot Rama ka stërvitur portierët e Burrelit. Sipas Gjokës tekniku ka komunikuar në distancë me çdo lojtar, duke i porositur se si duhet të stërviten gjatë periudhës së vetëizolimit nga Covid 19.