Videoprojeksioni në 3D është një risi në teatrin shqiptar, por që po e bën edhe më tërheqës falë kombinimit me kukullën dhe aktrimin. Video-animatori Renato Aliçkolli thotë për Tirananews se videoprojeksion në këtë nivel nuk është bërë ndonjëherë, pasi në shfaqjen që pritet të jepet këtë fundjavë në Teatrit e Kukullave “Delja e Detit”, ajo ndërthuret me aktorin real dhe personazhin e animuar.
“Video me projeksion kemi bërë e më parë, por video në këtë nivel, nuk është bërë ndonjëherë pasi janë futur 3 dimensione kukulla, personazhi animuar dhe aktori real. Dhe ndërthurja e të trejave bën që të jetë një magji në skenë”, thotë Renato.
Shfaqja kishte dje premierën dhe Renato na tregon efektet e para që jep te publiku videprojeksioni.
“Reagimi i publikut është fantastik, fëmijët e vegjël përfshihen brenda shfaqjes në mënyrë spektakolare, sepse përveç magjisë hipnotizuese të projeksionit shfaqja ka elementë interaktivë siç janë lojërat në formë quizi që fëmijët përfshihen pa përjashtim të gjithë, dhe ovacionet e tyre janë kënaqësia më e madhe që unë marr”, rrëfen ai.
Por çfarë është ky element i ri? “Videoprojeksioni është një teknikë e re për skenat e teatrit shqiptar. Bashke me regjizorin Nelson Mulla kemi thyer tabunë e shfaqjeve klasike me skenografi reale duke i kthyer ato në skenografi virtuale. Në teknikën e re kemi skena që lëvizin dhe nga një skenë në det me një klik shkojmë në një skenë në mal, anije që fluturojnë në kohë, hologramin e parë në Shqipëri të integruar në skenë, dhe së fundmi me shfaqjen “Delja e Detit”, duke futur dhe dimensionin kukull që është karakteristikë e teatrit të kukullave”, na shpjegon Renato.
Vetë shfaqja jep mesazhin që fëmijët të kujdesen për natyrën dhe të jenë të guximshëm për të ndjekur ëndrrat e tyre.