Ronela Hajati nis xhirimet për videoklipin që do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision Song Contest me një mesazh për Vjosën.
“Sekret”, kënga fituese në Fest60 në Radio Televizionin Shqiptar, e cila do të përfaqësojë Shqipërinë në ESC2022 është kthyer në një himn të këtyre ditëve.
Ronela ka vendosur një rekord përfaqësimi në klasifikimin e shkurtit në Eurovizion duke ngritur pritshmëritë në eventin që do të mbahet më 10, 12 dhe 14 maj në Torino të Italisë.
Artistja ka nisur xhirimet e videoklipit të këngës në jug të vendit, me një mesazh të fortë për ruajtjen e trashëgimisë sonë natyrore.
Klipi i këngës “Sekret ”po xhirohet buzë Vjosës, në Bylis. Një pjesë tjetër e xhirimeve do të mbahen në Gjirokastër dhe Tepelenë.
Video e cila do të publikohet në fillim të marsit në kanalin zyrtar të Eurovizionit do të tregojë disa nga bukuritë më joshëse të Shqipërisë si një kartolinë ftesë për të gjithë shikuesit e Festivalit Europian.
Deri atëhere shijoni disa nga fotot nga sheshxhirimi.