Artistët që e kanë provuar të ngjiten në skenën e “Këngët e shekullit” e kujtojnë si një ndër eksperiencat më të bukura dhe emocionuese. Të njëjtën gjë ka ndjerë së fundmi edhe Rovena Dilo, duke sjellë në mendje një nga performancat e saj në këtë emision.
Ajo ka publikuar një foto të shkrepur nga edicioni i parë i “Këngët e shekullit”, kur ka interpretuar këngën “Në moshën e rinisë” të Parashqevi Simakut. “Edicioni i parë i ‘Këngëve të Shekullit’, një ngjarje e vërtetë artistike. Kohë të mrekullueshme, punë, shoqëri, ngjarje, ide…ishte viti 2005! Rikujtim dhe rizgjim i 10-tra këngëve shqiptare. Kjo foto është bërë nga Marsel Rexhini ndërsa këndoja “Në moshën e Rinisë”… Një këngë e interpretuar më parë nga Parashqevi Simaku”, – ka shkruar Rovena bashkangjitur fotografisë së postuar.
Në foto vihet re se pavarësisht kohës që ka kaluar, Dilo vazhdon të jetë po e njëjta në pamjen e saj. Rovena ka gati 30 vite që është pjesë e skenës muzikore shqiptare dhe falë talentit të saj ka arritur t’i rezistojë kohës dhe të mbetet një ndër artistet e preferuara të publikut.