Sot, prezantuesja Roza Lati ishte e ftuar në emisionin radiofonik “Live From Tirana”, ku ka folur në lidhje me gjuhën e urrejtjes në median online.
Roza është shprehur disa herë publikisht për paragjykimet dhe komentet negative që merr, por kësaj here ajo tregoi një histori specifike për një adoleshente.
“Më kanë ngacmuar njerëzit, por jo mendimet e tyre. E thënë në mënyrën më delikate të mundshme, s’më plas fare (qesh). Do jap një rast konkret. Kam gjetur një vajzë me xham në dorë. Donte të priste damarët. Ishte 15-vjeçe, nga Kamza. E kërcënonin në ‘Instagram’.
E pashë një ditë me sytë me lot, të enjtur dhe nuk u përfshiva. E pashë ditën e dytë dhe kyçet e duarve i kishte të fashuara. Më kapi ankthi. E pyeta se çfarë problemi kishte dhe më tha që e kërcënonin me profile false. Më tha që nuk i njihte personat. I thashë: ‘Të vras mendjen për kërcënimet në ‘Instagram’, do të kisha luajtur mendsh që 17- vjeçe”, rrëfeu Roza Lati.
Vajza kishte shkuar më pas në komisariat për të bërë denoncim dhe nuk ia kishte marrë seriozisht policia.
“Aty u nervozova. I dhashë numrin tim të telefonit dhe i thashë që do të shkojmë bashkë në komisariat. Shteti e ka mundësinë për të mbyllur profile të tilla edhe ligjërisht, por nuk e kishin ndihmuar. Kishte pasur një përplasje nga të gjitha anët. Ajo vajzë është mirë tani”, tregoi Roza.
Ajo gjithashtu u pyet për ‘dramën e Donaldit dhe Beatrix, por Roza mendon se këto gjëra janë të pritshme: “Në fakt interneti është shumë i egër… Merrni në konsideratë edhe gurët që do ju hedhë interneti dhe mundësisht të ndërtojnë kalatë e tyre me ato gurë”.