Mjeku i njohur Pëllumb Pipero ishte i ftuar pasditen e sotme tek “Rudina”, ku ndryshe nga herët e tjera foli për jetën e tij personale.
“Nëna na la shumë herët. Ka vdekur 40 vjeç, vëllai i vogël ishte 5-6 vjeç, babai nuk u martua më. Atë bursën që merrja e ndaja me të gjithë. Isha në vit të tretë në fakultet. Natën punoja në fabrikën e tullave në Vorë, ndërsa ditën ndiqja shkollën… Pasi mbarova studimet e larta me mesatare shumë të mirë, afro 9.9, u propozua që të më mbanin aty, por nuk funksionoi. Edhe asokohe duhej një referim…”, – kujton Pipero.
Fill pas kësaj kohe, e kërkon mjek Spitali Ushtarak, në të cilin pak kohë më vonë do të njihte edhe njeriun e jetës së tij. Moza, sot bashkëshortja e mjekut, vazhdonte shkollën e mesme për infermieri, por në pushimet verore punonte në Spitalin Ushtarak: “Ishte shumë simpatike dhe shumë e shkathët…” – tregon Pipero pak i sikletosur. Nuk e dinte që vetëm pak kohë më pas, do të largohej që aty për t’u transferuar në mjekun e një reparti ushtarak. Por tashmë me një peng: “Më çuan doktor në një repart ushtarak, por ishte një periudhë e keqe. Kalova në depresion. Halle të mëdha në familje, halle në jetën personale…”
Por do të kalonte kjo fazë e mjeku e gjeti veten sërish në Tiranë, ku do të krijonte familje. Sot, baba i dy fëmijëve të mrekullueshëm dhe gjysh me nip e mbesë, Pipero ndihet i plotësuar: “Kam një familje të mrekullueshme. Ju më pyetët sa vite kam i martuar, por mua më duket sikur kam lindur me Mozën”, – thotë me të qeshur duke vijuar të flasë me adhurim për vajzën dhe djalion, të cilët, ashtu si ati, kanë vijuar e kanë shkëlqyer në rrugën e tyre.