Këtë të enjte Gjykata e Posaçme e pati të pamundur që të zhvillojë gjyqin për Dritan Rexhepin dhe të tjerëve, të akuzuar për rrëmbimin e Jan Prengës. SPAK tha se me anë të letër rekomandes do i drejtohen autoriteteve turke në Ankara që të bëjnë njoftimin e Dritan Rexhepit për gjyqin.
Sa kohë ai është i arrestuar procesi nuk mund të vijojë pa njoftimin zyrtar të Rexhepit mbi akuzat që rëndojnë ndaj tij në Shqipëri.
Procesi ndaj tij në vendin tonë ka nisur prej disa muajsh, dhe sot Prokuroria do lexonte kërkesën për provat që do sjellë në proces. Më herët është dënuar me burg për jetë Festim Bexhdili, kopshtari i kompleksit “Golden Resort” ku u mbajt peng Prenga, si dhe me tre vite burg menaxheri i resortit, Olsi Turja.