Autoritetet kanë urdhëruar evakuimin e menjëhershëm të banorëve në Bashkinë Durrës, Njësinë Administrative Sukth dhe Katund i Ri, si pasojë e situatës së rënduar nga përmbytjet dhe rrezikut të drejtpërdrejtë për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.
Vendimi është marrë në zbatim të Ligjit nr. 45/2019 “Për Mbrojtjen Civile”, Planit Kombëtar dhe Planeve Vendore të Emergjencave Civile. Sipas legjislacionit në fuqi, Kryetari i Bashkisë është autoriteti përgjegjës për urdhërimin dhe zbatimin e evakuimit në territorin përkatës.
Procesi i evakuimit po realizohet në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), Prefektin e Qarkut, si dhe strukturat vendore të emergjencave civile. Prioritet në evakuim kanë fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe familjet që ndodhen në zona të izoluara.
Transporti për qytetarët e evakuuar po sigurohet nga mjetet e Bashkisë, Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi (MZSH), si dhe Forcat e Armatosura.
Ndërkohë, menaxhimi i strehimit dhe asistencës për të evakuuarit do të realizohet nga Bashkia në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, njësitë e kujdesit shëndetësor dhe strukturat e shërbimeve sociale. Në qendrat e strehimit të përkohshëm do të kryhet regjistrimi i qytetarëve, sigurimi i nevojave bazë si ushqimi, veshmbathja dhe ndihma mjekësore, si dhe dhënia e informacionit të përditësuar mbi situatën.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të ndjekin udhëzimet e strukturave në terren dhe për çdo situatë emergjente të kontaktojnë numrin e emergjencave. Njoftimi ka karakter urgjent dhe është në fuqi menjëherë.
