Rriten sërish tensionet në Detin e Kinës Jugore, pasi marina kineze kreu një stërvitje ushtarake, gjatë kohës kur në atë zonë po operonte një grup aeroplan-mbajtësish të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në një territor ujor tepër të kontestuar.
Marina e ushtrisë kineze ka kryer një seri stërvitjesh konfrontuese në Detin e Kinës Jugore, pasi një grup aeroplanmbajtësish të Shteteve të Bashkuara të Amerikës filloi të operonte në territoret ujore të kontestuara.
Grupi i aeroplanmbajtësve të marinës kineze ‘Shandong’ kreu stërvitje konfrontuese, të orientuara drejt luftimit në Detin e Kinës Jugore, raportuan disa prej mediave aziatike, duke cituar një deklaratë nga Ushtria Çlirimtare Popullore e Kinës.
Gjatë stërvitjeve, të cilat simuluan sulme të avionëve armiqësorë, avionët luftarakë J-15 u ngritën nga aeroplanmbajtëset ‘Shandong’ dhe kryen stërvitje gjurmimi dhe përgjimi, thuhej në deklaratë. Marina praktikoi gjithashtu sulmin dhe mbrojtjen në sipërfaqe, në ajër dhe nën ujë, shtoi më tej Ushtria Kineze.
Raporti erdhi pasi marina amerikane, tha të Premten, se grupi i saj i sulmeve ajrore ‘Nimitz’, po kryente stërvitje në Detin e Kinës Jugore si pjesë e operacioneve të saj rutinë në Indo-Paqësor.
Marina amerikane deklaroi se grupi ‘Nimitz’, i përbërë nga një aeroplanmbajtëse me fuqi bërthamore, 1 kryqëzor me raketa dhe 3 shkatërrues me raketa, kryen një stërvitje ushtarake, për goditje detare, si dhe anti-nëndetëse.
Pekini pretendon tërësinë territoriale të Detit tejet strategjik të Kinës Jugore, madje ka krijuar edhe poste ushtarake në ishujt artificialë të ndërtuara atje. Tajvani, Vietnami, Malajzia, Brunei dhe Filipinet gjithashtu kanë pretendime e tyre, për këto territore, të cilat vlerësohen të kenë burime të mëdha të arit të zi. Uashingtoni i quan këto pretendime territoriale të Kinës të paligjshme dhe dërgon rregullisht anije luftarake në këtë zonë.