Shtetet e Bashkuara po tërheqin një pjesë të personelit nga bazat në Lindjen e Mesme, tha një zyrtar amerikan të mërkurën, pasi një zyrtar i lartë iranian tha se Teherani kishte paralajmëruar fqinjët se do të godiste bazat amerikane nëse Uashingtoni sulmon. Britania gjithashtu po tërheq një pjesë të personelit nga një bazë ajrore në Katar përpara sulmeve të mundshme të SHBA-së. Ministria britanike e mbrojtjes nuk bëri asnjë koment të menjëhershëm.
“Të gjitha sinjalet tregojnë se një sulm i SHBA-së është i afërt, por kjo është edhe mënyra se si sillet kjo administratë për t’i mbajtur të gjithë në gatishmëri. Paparashikueshmëria është pjesë e strategjisë”, tha një zyrtar ushtarak perëndimor për Reuters më vonë të mërkurën.
Dy zyrtarë evropianë thanë se ndërhyrja ushtarake amerikane mund të ndodhë brenda 24 orëve të ardhshme. Një zyrtar izraelit tha gjithashtu se dukej se Trump kishte vendosur të ndërhynte, megjithëse fushëveprimi dhe koha mbetën të paqarta. Katari tha se tërheqjet nga baza e saj ajrore Al Udeid, baza më e madhe amerikane në Lindjen e Mesme, po “ndërmerreshin në përgjigje të tensioneve aktuale rajonale”.
Numri i njerëzve që kanë vdekur gjatë protestave në Iran ka shkuar 2,571, sipas një përditësimi nga Agjencia e Lajmeve për të Drejtat e Njeriut (HRANA), një organizatë e aktivistëve iranianë me bazë në Shtetet e Bashkuara. Por numri mund të jetë shumë herë më i lartë, teksa mediat deklarojnë për 12 mijë viktima, shifra që ende nuk janë verifikuar.
Ndërkohë, Iran International, rrjeti televiziv iranian me seli në Londër, raporton se forcat e sigurisë, të veshur si civilë dhe anëtarët e Gardës Revolucionare Iraniane kanë bastisur shtëpitë e familjeve të të vrarëve gjatë protestave në Teheranin lindor. Sipas Iran International, IRGC urdhëroi familjet të mblidhnin trupat e viktimave para agimit dhe të kryenin varrimet shpejt dhe privatisht, duke shtuar se ata do të akuzohen për përdorimin e municioneve.
Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se do të ndërmerren masa shumë të forta nëse autoritetet iraniane vazhdojnë me kërcënimin për ekzekutim të protestuesve. Pas këtyre deklarateve, televizioni shtetëror i Teheranit ‘kërcënoi’ Trump duke publikuar pamje të Trump pas sulmit në Pensilvani me nënshkrimin: “Këtë herë plumbi nuk do të gabojë”.
Irani po përballet me protestat më të mëdha kundër regjimit klerikal në vitet e fundit, me autoritetet që po shtypin me brutalitet pakënaqësitë në rritje. Protestat nisën më 28 dhjetor për shkak të pakënaqësive me krizën ekonomike, zhvlerësimin e monedhës kombëtare dhe krizës energjetike. Shtetet e Bashkuara kanë shprehur mbështetje për protestuesit iranianë, me presidentin amerikan, Donald Trump, që ka paralajmëruar autoritetet në Teheran se Uashingtoni do të ndërhyjë nëse Irani vret protestues.
