Përfshirja e të miturve në krime të rënda përgjatë viteve ka shënuar rritje në Shqipëri. Në Institutin e të Miturve Kavajë në këtë vit ka pasur gjithsej 59 minorenë të dënuar me heqje lire, ndërsa aktualisht po vuajnë dënimin 30.
Pjesa më e madhe e tyre janë arrestuar për vrasje në bashkëpunim si dhe vjedhje.
Modelet e gabuara, problemet sociale si dhe mungesa e shërbimeve mbështetëse për të rinjtë e përfshirë në konflikt me ligjin sipas ekspertëve bëjnë që të rinjtë sot të shkojnë drejt rrugëve të paligjshme.
Përgjatë vitit 2023, 891 të mitur janë proceduar penalisht, 8.6% me shumë sesa në 2022. Shoqata të shumta dhe politika, bazuar në disa raporte ndërkombëtare, mendojnë se një rol negativ tek të rinjtë po luajnë rrjetet sociale, në veçanti TikTok, për të cilin në disa vende janë marrë masa shtrënguese. Edhe Shqipëria po shqyrton mundësinë e vendosjes së disa filtrave apo mbylljes së këtij rrjeti.