Emigrimi dhe plakja e popullsisë po bëjnë që bizneset në vend t’i hedhin gjithnjë e më shumë sytë nga vendet aziatike dhe afrikane për të importuar fuqi punëtore. Me mbarimin e sezonit turistik, tashmë duket se të huajt që vijnë, punësohen më shumë në sektorë që kërkojnë fuqi fizike.
“Ndryshimi i sektorit të punës ndihet menjëherë pas sezonit të verës, për shkak se gjatë sezonit thuajse të gjitha bizneset që interesohen për punonjës janë kryesisht për punonjës sezonalë dhe janë pjesë e sektorit të turizmit. Pas shtatorit fillon kërkesa nga bizneset që janë të fokusuara te industria e rëndë, ku përfshihen biznese që kanë të bëjnë me infrastrukturën, fasoneritë, bujqësinë dhe blegtorinë. Këto të fundit vijnë si pasojë e sezonit të prodhimit,” shprehet Arlind Kurti, rekrutues i punonjësve të huaj për bizneset shqiptare.
Si rrjedhojë e efektit zinxhir, lëvizjet nga vendet me paga të ulëta drejt atyre me paga më të larta janë arsyeja kryesore pse këta individë vijnë në Shqipëri, duke krijuar mundësi që të dërgojnë para edhe te familjarët e tyre në formën e remitancave.
“Në varësi të pozicioneve, punëdhënësit janë gati të paguajnë edhe më mirë për shkak të interesit. Sa i përket hotelerisë dhe turizmit, punonjësit paguhen mbi pagën mesatare, ndërsa për profesionistët bizneset janë gati të paguajnë shumë më tepër.”
Sipas të dhënave nga Inspektorati i Punës për vitin e kaluar nga 190 mijë vende pune të inspektuara në biznese private të fushave të ndryshme, janë evidentuar 1,536 punonjës të huaj me kontrata të rregullta, një interes që vazhdon të rritet.
“Gjithmonë interesi ka qenë në rritje nga bizneset. Kjo vjen për shkak të hendekut të madh të burimeve njerëzore në vend. Këtë vit interesi është shtuar, ku numri i të huajve që kemi sjellë për bizneset shqiptare mund të jetë mbi 300.”
Një pjesë e mirë prej tyre jo vetëm që pajisen me leje pune, por aplikojnë edhe për leje qëndrimi. Sipas të dhënave nga Ministria e Brendshme, deri vitin e shkuar numëroheshin 19 mijë të huaj të pajisur me leje qëndrimi në Shqipëri, ku përveç Kosovës dhe Italisë si dy vendet e para, rritje të ndjeshme kishte India./vizionplus.tv
