Fundi i krizës ekonomike nuk dihet, ndaj dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka kërkuar nga qeveria “Rama 3”, që të rrisë mbështetjen ndaj shtresave në nevojë. Në përfundim të vizitës disa ditore në vendin tonë, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i FMN-së, Bo Li, vë theksin në sfidat me të cilat përballet vendi si pasojë e shtrenjtimit të çmimeve për produktet ushqimore dhe energjisë. Mbështetja për familjet në nevojë sipas duhet të bëhet përmes politikave fiskale të mirorientuara dhe të përkohshme.
“Në diskutimet e mia me autoritetet, theksova sfidat me të cilat përballet Shqipëria që vijnë si rezultat i rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe energjisë, shtrëngimi i kushteve financiare dhe dobësimi i mjedisit të jashtëm. Është e nevojshme të mbështeten shtresat në nevojë nga presionet mbi koston e jetesës nëpërmjet politikave fiskale të mirorientuara dhe të përkohshme”, ka pohuar zëvendësdrejtori i FMN-së.
Pjesë e diskutimeve në takimet e zhvilluara me Ministren e Financave, Delina Ibrahimaj, guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, dhe zyrtarë të tjerë të lartë, ishin edhe politikat që duhet të ndërmerren për të inkurajuar progresin e vendit dhe konvergjencën e të ardhurave me Bashkimin Evropian.