Më shumë se gjysma e banorëve të Rusisë, apo 58 për qind, nuk duan të imunizohen me vaksinën e kundër COVID-19, “Sputnik V”.
Kështu thuhet në sondazhin qendrës së pavarur ruse për Hulumtime “Levada Center”, duke shtuar se është rritur numri i rusëve që nuk dëshirojnë ta marrin këtë vaksinë.
Sipas organizatës, në muajin gusht kjo vlerë ka qenë 54 për qind, kurse në muajin tetor, numri i të anketuarve ishte 59 për qind.
Siç raportojnë mediet ruse, 30 për qind e tyre që nuk janë të gatshëm të vaksinohen, thanë se duan të presin deri në fund të provave të vaksinës.
Rreth 30 për qind të të anketuarve thonë se kanë frikë për efektet anësore të vaksinës, kurse 12 për qind frikësohen për kundërindikacione.
Përveç kësaj, 12 për qind e rusëve thonë se, nuk kanë arsye të vaksinohen, ndërsa 10 për qind e kundërshtojnë në tërësi vaksinimin.
Kundërshtimet e rusëve për të bërë vaksinën “Sputnik V” kanë krijuar shqetësim tek presidenti Vladimir Putin. Ai ka nisur një fushatë mediatike duke trumbetuar se vaksina po merret edhe nga shtete të tjera.
Koreja e Jugut nisi prodhimin e 150 milionë vaksinave “Sputnik V”. Bjellorusia nisi po ashtu vaksinimin me “Sputnik V”.
Ndërkohë Argjentina nisi këtë vaksinë me 300 mijë dozat e para.
Qeveria ruse i ofroi edhe Shqipërisë që të marrë këtë vaksinë:
“I nderuar z. Endri Fuga,
Ju bëjmë me dije se Fondi Rus i Investimeve Direkte është autorizuar të zhvillojë negociata me vendet, të cilat janë të interesuara për të blerë vaksinat kundër COVID-19. Nuk kemi dyshime se Rusia është e gatshme të sjellë vaksinën e saj “Sputnik-V” edhe në Shqipëri. Vaksinimi me “Sputnik-V” tashmë filloi në Rusi dhe në Argjentinë, ndërkohë më shumë se 50 vende kanë aplikuar për të blerë 1,2 miliard dozë të preparatit. Në çdo rast, e përsërisim informacionin e postuar më parë për karakteristikat dhe avantazhet e saj në krahasime me një serë vaksinash të tjera”.