Rusia ka shtuar shtatë persona, përfshirë dy gazetarë të Radios Evropa e Lirë (REL), në listën e saj të “agjentëve të huaj”, një vendim që shihet si pjesë e përpjekjeve të Kremlinit për të shtypur mediat e pavarura.
Ministria ruse e Drejtësisë i akuzon ata për përhapje të “informacioneve të rrejshme” mbi sistemin zgjedhor dhe për kundërshtimin e luftës në Ukrainë, megjithëse nuk ka ofruar prova për këto pretendime.
Mes të shpallurve “agjentë të huaj” janë Dmitry Sukharev dhe Andrei Novashov, gazetarë të REL-it, si dhe Elizaveta Fokht dhe Ilya Abishev nga BBC Rusia, së bashku me tre individë të tjerë.
Presidenti i REL-it, Stephen Capus, e ka dënuar vendimin, duke e cilësuar atë si pjesë të një “sulmi brutal ndaj mediave të pavarura”.
Rusia përdor ligjin e “agjentëve të huaj”, miratuar në vitin 2012, për të censuruar kritikët e Kremlinit, duke përfshirë gazetarët dhe organizatat e shoqërisë civile.