Rreth 58 milionë lekë të reja pa TVSH kanë shpenzuar 61 bashkitë e vendit për festat e fundvitit. Kjo është vlera që rezulton se është shpenzuar deri në fund të këtij viti për 60 tenderë të realizuar nga 61 bashkitë e vendit. Paratë e bashkive janë shpenzuar për dekor e zbukurime, ku në disa raste nuk mungojnë edhe shifra të larta të shpenzuara nga bashkitë për këto festa, duke ofruar një tjetër pamje të qyteteve për gjatë festave të fundivitit.
Vështrim nëpër Tiranë
Tirana është stolisur me atmosferën e festave të fundvitit. Përmbi bulevardin kryesor një rrjetë me drita imiton qiellin me yje. Ndërsa pemëve, në të dyja krahët u janë veshur vellot e dritave. Edhe rrugët lidhëse janë plot dritëza që nga engjëj me flaute të rreshtuar varg siç bashkia i ka kompozuar në rrugën e pedonales pranë Ministrisë së Brendshme. Apo globe të mëdhenj me drita të bardha si ata përgjatë rrugës Myslym Shyri që nëse i afrohesh qendrës, ata kthehen në drita të kuqe. Nëse ndjek këtë lumë dritash gjatë mbrëmjes të bie në sy dekorimi i ministrive, me fjongo të kuqe, për të dhënë idenë se institucionet janë një kuti e madhe dhuratash. E vetmja godinë e palidhur me këtë stil është kryeministria, në derën e të cilës ka mbirë një bredh me një yll që i prek katin e fundit. Në një nga portat e bashkisë nuk mungojnë disa nga simbolet e festave të fundvitit, një grumbull drerësh. Në fakt, me dekorimin e festave 2018, Bashkia është pak metra larg Fshatit te festave, që këtë vit është ngritur që në fillim të muajit nëntor, në sheshin Skënderbej. Tashmë ndriçimi dhe dekorimi bëhet njësh me shtëpizat e drurit, në të cilin disa shesin suvenire dhe simbole të Tiranës, mbajtëse çelësash dhe filxhanë. Nuk mungon as një lypëse që sfidon muzikën që vjen nga sfondi duke t’u afruar me dorën e shtrirë e duke kërkuar diçka, nën urimin “Zoti të ruajt”. Në shtëpitë e tjera të drurit, që kanë radhitur karrige shërbehen birra, qofte e verë e ngrohtë, duke u bërë njësh nga njëra anë me këndin e lojërave dhe nga ana tjetër më të gjithë ata, që kalojnë në qendër në kryeqytetit dhe nuk kanë se si e shmangin bredhin gjigant të vitit të Ri, që mbizotëron mbi gjithçka. Aty pozohet për fotografitë familjare, të përqafuar apo duke u ulur në karrocën e babagjyshit. Por e gjithë kjo atmosferë festive, ka kushtuar jo pak. Por si e shikon dekorimin e Tiranës arkitekti Elton Sulejmani, i cili është diplomuar jashtë Shqipërisë dhe ka zgjedhur kryeqytetin për të ushtruar profesionin e tij. Duke krahasuar qirinjtë e ndezur si element tradicional që simbolizojnë dritën e Krishtit, Sulejmani tregon se kjo traditë evoluoi drejt teknologjisë bashkëkohore. “Edhe te ne përdoret teknologjia LED, e cila është eficiente në aspektin e harxhimit të energjisë, por nuk ka rrezikshmëri për incidente zjarri. Ajo që do të veçoja është risia që shohim në zhvillimin e një tjetër dekorimi që janë motivet dhe skulpturat 3 dimensionale të dritës , me skelete metalike apo plastike të mbushura me drita LED që sjellin personazhe me natyrë festive”, tha arkitekti Sulejmani. Ai i konsideron fjongot e lidhura në fasadat e ministrive si një gjetje artistike dhe shton se nuk e di nëse është një ide e përdorur në qytete të tjera në botë apo është krijim i mirëfilltë për Tiranën .
“Grosistët” e fundvitit
Bashkitë që rezultojnë se kanë shpenzuar më shumë para për festat e fundvitit janë kryesisht ato që janë edhe më të mëdha nga sipërfaqja dhe numri i popullsisë, por ka pasur raste edhe të disa bashkive të vogla, që kanë kryer shpenzime të larta. Konkretisht rezulton se 10 bashki kanë shpenzuar më shumë se 1 milion lekë të reja për festat e fundvitit. Nga këto 10 bashki, 8 rezultojnë se kanë shpenzuar mbi 2 milionë lekë të reja. (Shiko tabelën)
Bashkia Tiranë
Duke filluar nga Bashkia që ka kryer më shumë shpenzime rezulton se Bashkisë Tiranë i kushtuan zbukurimet e festave të fundvitit mbi 16 milionë lekë. Porta Vendore pyeti zyrtarisht Bashkinë e Tiranës për fondin e alokuar në dispozicion të dekorimit për fundvitin 2018. “Buxheti është 16.689.176 lekë. Ju bëjmë me dije se në vitin 2017 buxheti për zbukurimin e shesheve ishte 33.210.169 lekë. Një buxhet që është përgjysmuar, ndoshta edhe për shkak se shumica e zbukurimeve të vendosura në kryeqytet nuk janë vendosur të reja nga Drejtoria e Përgjithshme numër dy dhe nga Ndërmarrja Dekor Tirana”, deklaroi Bashkia e Tiranës. Ndërkohë, në faqen zyrtare të Agjencisë së Prokurimeve Publike, rezulton se edhe rreth 2 milionë lekë të reja janë shpenzuar nga Bashkia e Tiranës për fishekzjarre.
Bashkia Shkodër
Por ndryshe nga Tirana, pamja e qytetit të Shkodrës është e njëjtë, sikurse edhe një vit më parë. Si pjesë e atmosferës festive të fundvitit, përveç ndriçimit dhe bredhit janë përshirë edhe lodrat, që janë kthyer në një pikë argëtimi për fëmijët. Por pika më e fortë e zbukurimeve në Shkodër janë vetë bizneset private, kryesisht bare dhe restorante që përveç dekorimit të jashtëm, nuk kanë lënë mënjanë edhe ambientin e brendshëm. Bashkia e Shkodrës konfirmon për Portën Vendore se buxheti për këtë vit ishte alokuar në vlerën e 1.545.000 lekë, ndërkohë që për vitin e kaluar ishte 500.000 lekë me operator fitues ‘Iceberg Communication”. Por, ka njerëz që kjo shifër u duket e ekzagjeruar. Këshilltari i Bashkisë së Shkodrës, Fatlum Nurja tha se shuma e shpenzuar është e ekzagjeruar. “Nuk ka kreativitet, as në zonën tradicionale që është si pikë referimi. Për të plotësuar këtë boshllëk dekorativ janë instaluar platforma mekanike të lodrave të cilat gjatë verës zhvendosen ne Velipojë . Ka rreth 3 javë që janë vendosur në pedonale dhe bllokojnë qarkullimin dhe qytetarëve u vështirësohet jeta. Ato nuk janë në vendin e duhur. Ndriçimi është komplet i varfër, nuk ka asgjë festive. Një bashki, që vitin e kaluar ka pasur një buxhet total 31 milionë dollarë dhe përfundon me 1.5 milionë lekë të reja për festat, duke zbehur festën e fundvitit, që as komunizmi nuk arriti. Por edhe kjo shumë nuk besoj që është shpenzuar siç duhet, pasi dekorimi është i njëjtë dhe besoj që kjo po ndodh prej 3 vitesh. Po ta krahasosh dekorimin me Korçën, ngjajnë dy realitete të ndryshme”, tha Këshilltari i Bashkisë së Shkodrës, Fatlum Nurja.
Bashkia Durrës
Si një qytet bregdetar nuk kishte se si palmat të liheshin pa u mbuluar me rrjeta dritash, se bashku me Bashkinë që është kthyer në epiqendrën e ndriçimit dhe të festës. E kthyer tashmë në një traditë edhe në Durrës përveç fotografive poshtë bredhit, qytetarëve iu është ofruar edhe një destinacion i ri siç është tuneli i formuar nga dritat. Bashkia Durrës për zbukurimet e këtij fundviti kishte një fond me vlerë 4.841.700 lekë pa tvsh . Krahasimisht është një nga bashkitë që e ka rritur buxhetin për këtë qëllim krahasuar me të tjerat, përsa kohë siç rezulton nga përgjigjja zyrtare që iu dha Portës Vendore, një vit më parë fondi ishte 3.949.000 lekë pa tvsh . Të gjithë këtë atmosferë një nga këshilltarët e Bashkisë së Durrësit Edlira Hyseni, e shikon me optimizëm.
“Fondi nuk është pak, pra është disi i lartë, por për vetë atmosferën festive që imiton Tiranën dhe frekuentimin e shtuar nga qytetarët justifikohen shpenzimet. Por në këtë atmosferë shpresoj që bashkia të shtojë kujdesin edhe për shtresat nevojë dhe njerëzit me pak mundesi financiare”, tha ajo.
Vlorë-Himarë
Porta Vendore kërkoi transparencë edhe nga bashki të tjera, por nga disa prej tyre nuk u dha informacioni i kërkuar, megjithëse një pjesë e këtij informacioni u gjet pranë Agjencisë së Prokurimeve Publike (APP). Sipas shifrave të APP, rezulton se një tjetër bashki me shpenzime të larta është Bashkia Vlorë, e cila për realizimin e dekorit të qytetit për festat e fundvitit ka vënë në dispozicion rreth 4,786, 450 lekë.
Por, shumë mbrapa Vlorës, pavarësisht se njihet si bashki më e vogël, nuk mbetet Himara, e cila për dekorin e festave të fundvitit ka shpenzuar 3 milionë e 165 mijë lekë të reja pa TVSH.
Si Himara ka edhe disa bashki të tjera, të cilat pavarësisht se nuk kanë peshë specifike në nivel kombëtar, kanë kryer shpenzime mbi 2 milionë lekë të reja për festat e fundvitit. Konkretisht, Bashkia Cërrik ka shpenzuar 2,029,900 lekë, Bashkia Vorë ka shpenzuar 2,390,200 lekë, ndërsa Bashkia Mallakastër ka shpenzuar 2,383,300 lekë.
Një tjetër bashki me shpenzime mbi 2 milionë lekë të reja, e cila futet tek bashkitë e mëdha, është edhe Bashkia Fier, konkretisht me 2,514,000 lekë. Ndërsa bashkia e fundit në “Top 10” është Bashkia Prrenjas, me 1,219,000 lekë të reja shpenzime për festat e fundvitit.
Ku u shpenzuan paratë
Nga një vështrim i tenderëve të realizuar nga 61 bashkitë në vend rezulton se shumica e parave janë shpenzuar për dekorin e qyteteve. Një zë i veçantë që vihet re është ai për blerjen e dhuratave dhe lodrave për nxënësit e dalluar, jetimët dhe fëmijët e tjerë, megjithëse në vlera simbolike. Po ashtu, disa bashki kanë shpenzuar para edhe për kartolina dhe fishekzjarre (Shiko tabelën). Por, në asnjë rast nuk vihet re të jenë shpenzuar para për dreka apo darka festive të institucioneve. Kjo për shkak të urdhrit të Agjencisë së Prokurimeve Publike, që ka vendosur se asnjë institucion shtetëror nuk duhet të hapë tenderë që kanë si objekt prokurimi drekat apo darkat festive, duke u bazuar në praktikat e viteve të kaluar, ku shumë institucione përdornin fondet publike për organizimin e këtyre aktiviteteve. “Autoritetet kontraktore duhet të mbajnë në konsideratë mirë përdorimin e fondeve publike si një ndër parimet kryesore të legjislacionit të prokurimit publik me qëllim plotësimin e nevojave konkrete të tyre dhe uljen e shpenzimeve proceduriale”, thuhet ndër të tjera në dokumentin e APP-së që mban datën 4 dhjetor 2018. Ky është viti i dytë që Agjencia e Prokurimit Publik tërheq vëmendjen e institucioneve për këto lloj tenderësh. Një praktikë e ngjashme u ndoq edhe vitin e kaluar, ku përveçse u kërkua që të mos hapeshin procedura të tilla, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në datën 28 dhjetor 2017 njoftoi se Thesari do të bllokonte ekzekutimin e të gjitha pagesave për objekte të tilla prokurimi. Në vitin 2017, vetën në 20 ditët e para të muajit dhjetor u hapën rreth 25 procedura të tilla prokurimi, ndërkohë që sivjet tenderët e shpallur në kuadër të festave të fundvitit lidhen vetëm me dekorimin e qyteteve apo blerjen e fishekzjarrëve.