Close Menu
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Rajon&Bota
    • Ekonomi
  • Lifestyle
    • Shëndeti
    • ShowBiz
    • Horoskopi
    • Kulinari
  • OPED
  • Vendi Im
  • Gjurmë
  • Teknologji
  • Sporti
Facebook Instagram
  • Kontakt
  • Politikat e privatesise
Facebook Instagram
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Rajon&Bota
    • Ekonomi
  • Lifestyle
    • Shëndeti
    • ShowBiz
    • Horoskopi
    • Kulinari
  • OPED
  • Vendi Im
  • Gjurmë
  • Teknologji
  • Sporti
Abonohu
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
OPED

Saimir Kadiu: 40 firmëtarët që nënshkruan Aktin e Pavarësisë

16:03 / November 28, 202514 Mins Read
Facebook LinkedIn Email WhatsApp
590160746 1281433314025188 7967918949248738846 n
Share
Facebook LinkedIn Email WhatsApp

Nga Saimir Kadiu

Në shpalljen e pavarësisë morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare, ndërsa 40 firmëtarët ishin ata që nënshkruan Aktin e Pavarësisë. Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, Asambleja e Vlorës formoi qeverinë e parë të Shqipërisë së Pavarur, të drejtuar nga Ismail Qemali, si dhe Pleqësinë. Është interesant fakti që asnjë nga firmëtarët e Pavarësisë (që jetuan pas vitit 1944) nuk bashkëpunoi me regjimin komunist. Përkundrazi, një pjesë e tyre pësuan përndjekje, burgosje apo u ekzekutuan nga regjimi.

Nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë

Vlorë, 28 Nëntor 1912

1) Ismail Qemal Bej Vlora (1844–1919)

Ngriti flamurin në Vlorë. Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Kryetar i Qeverisë së Përkohshme, ministër i Jashtëm, diplomat, guvernator, atdhetar. Në Deklaratën e Pavarësisë shkruhej: “Në Vlonë më 15/28 të Vjeshtës së Tretë 1328/1912. Pas fjalëve që tha z. Kryetari Ismail Kemal beu, me të cilat tregoi rrezikun e madh në të cilin ndodhet sot Shqipëria, të gjithë delegatët me një zë venduan që Shqipëria me sot të bëhet më vete, e lirë e e pavarur.”

2) Dom Nikollë Kaçorri (1862–1917)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Klerik i lartë, atdhetar, patriot dhe veprimtar i Rilindjes Kombëtare. Mori pjesë në lëvizjen politike, kulturore dhe kombëtare. Gjatë kryengritjes së Kurbinit (1905–1907), hyri si ndërmjetës midis popullsisë dhe administratës osmane për të shmangur gjakderdhjen. Pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit (1908) dhe Kongresin e Elbasanit (1909). Përfaqësues i Durrësit në Kuvendin Kombëtar të Vlorës, ku u zgjodh nënkryetar i Qeverisë së Përkohshme. Firmosi Deklaratën e Pavarësisë me siglën “Kaçorri”.

3) Vehbi Dibra (Agolli) (1867–1937)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Klerik i lartë dhe veprimtar i lëvizjes kombëtare shqiptare. Mori pjesë në vitin 1909 në Kongresin e Dibrës; mbështeti alfabetin me shkronja latine të Kongresit të Manastirit. Më 28 nëntor 1912, në krye të delegatëve të Dibrës, mori pjesë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës, ku u zgjodh kryetar i Pleqësisë. Luajti rol të rëndësishëm në organizimin e kryengritjes shqiptare të vitit 1913 kundër pushtimit serb në zonën e Dibrës. Në vitin 1920 mbështeti përpjekjet për rimëkëmbje dhe demokratizim të shtetit shqiptar.

4) Babë Dud Karbunara (1842–1917)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Atdhetar dhe veprimtar i Rilindjes Kombëtare. Punoi shumë për hapjen e shkollave shqipe në Berat. Jorgji Karbunara ishte përfaqësues i Beratit në Kuvendin Kombëtar të Vlorës, ku firmosi Deklaratën e Pavarësisë me siglën “J. Karbunara”. Në këtë kuvend u zgjodh anëtar i Pleqësisë.

5) Elmaz Boce (1850–1925)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Mori pjesë në organizimin e Degës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Gjirokastër në vitin 1880. Ndihmoi pa kursyer hapjen e shkollës shqipe të Gjirokastrës “Liria”. Në nëntor të vitit 1912 u zgjodh delegat i Gjirokastrës në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi Deklaratën me siglën “Elmas Boce”.

6) Qazim Kokoshi (1882–1945)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Veprimtar për përhapjen e gjuhës shqipe, patriot, me bindje dhe pikëpamje demokratike. U zgjodh delegat i Vlorës në Kuvendin e Gërçës në vitin 1911. Mori pjesë në Kuvendin e Vlorës në nëntor 1912, ku firmosi Aktin e Pavarësisë me siglën “Qazim Kokoshi”. Në vitin 1921 u zgjodh deputet i qarkut të Vlorës në Këshillin Kombëtar. Regjimi komunist e arrestoi dhe e burgosi; i izoluar në hetuesinë e Vlorës, vdiq nga torturat.

7) Jani Minga (1872–1947)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Veprimtar i shkollës shqipe, i Rilindjes Kombëtare dhe i lëvizjes demokratike (1920–1924). Një nga nismëtarët e hapjes së klubit patriotik “Labëria” dhe shkollës së parë shqipe në Vlorë (1908). Në nëntor 1912 u zgjodh delegat i Gjirokastrës në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi Deklaratën me siglën “J. Minga”.

8) Rexhep Mitrovica (1888–1960)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Veprimtar i lëvizjes kombëtare, intelektual, deputet, ministër, kryeministër. Mori pjesë si delegat i Pejës në Kuvendin Kombëtar të Vlorës dhe ishte një nga nënshkruesit e Deklaratës. Një nga themeluesit e Partisë Kombëtare (1914) dhe anëtar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. U zgjodh senator i Kosovës në Këshillin Kombëtar të Lushnjës.

9) Dhimitër Tutulani (1875–1937)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Veprimtar i lëvizjes kombëtare. Në nëntor 1912 u zgjodh delegat i Beratit në Kuvendin historik të Vlorës, ku nënshkroi Deklaratën me siglën “Dh. Tut.”. Në vitin 1918 ishte delegat në Kongresin e Durrësit dhe në vitin 1920 në Kongresin e Lushnjës. Në vitin 1925 ishte kryetar i Bashkisë së Beratit.

10) Abas Dilaver (Çelkupa) (1850–1926)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Veprimtar i lëvizjes kombëtare. Gjatë viteve 1905–1907 u lidh dhe bashkëpunoi me atdhetarët e njohur të kohës, si Dom Nikollë Kaçorri etj.
Priti në Durrës Ismail Qemalin dhe më pas, së bashku me delegatët që e shoqëronin, mori pjesë në mbledhjen e parë të Kuvendit të Vlorës. Si delegat i Durrësit, firmosi Deklaratën e Pavarësisë me siglën “Abas Dilaver”.

11) Shefqet Dajiu (1882–1946)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Veprimtar i përhapjes së gjuhës shqipe dhe i lëvizjes kombëtare. Në nëntor të vitit 1912 u zgjodh përfaqësues i Elbasanit në Kuvendin historik të Vlorës për shpalljen e Pavarësisë Kombëtare. Firmosi Deklaratën e Pavarësisë me siglën “Shefqet Daji”. Në vitet 1920–1923 ishte deputet i Elbasanit në Parlamentin shqiptar. U arrestua dhe u burgos në vitin 1945; vdiq në burg në 1946.

12) Xhelal Koprencka (1876–1919)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Nismëtar për hapjen e shkollave shqipe në vitin 1908 në Skrapar; veprimtar i lëvizjes kombëtare për pavarësi. U zgjodh delegat i Skraparit në Kuvendin e Vlorës dhe ishte një nga 40 firmëtarët e Aktit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare më 1912. Firmosi Deklaratën me siglën “Xhelal Ko.”. U zgjodh anëtar i Pleqësisë.

13) Hajredin Cakrani (1860–1940)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Gjatë viteve 1908–1909 punoi ngushtë me klubet atdhetare “Labëria” të Vlorës dhe të Filatit. U zgjodh delegat i Mallakastrës në Kuvendin historik të Vlorës në nëntor 1912, ku firmosi Deklaratën me siglën “Hajredin Cakrani”. Pjesëmarrës në Luftën e Vlorës kundër pushtuesve italianë.

14) Iljaz Vrioni (1882–1932)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Deputet, ministër, kryeministër. Në nëntor 1912 u zgjodh delegat i Beratit në Kuvendin e Vlorës, ku nënshkroi Deklaratën me siglën “Iljas Vrijon”. Në vitin 1920 u zgjodh delegat i Beratit në Kongresin e Lushnjës. Katër herë Kryeministër i Shqipërisë; disa herë Ministër i Jashtëm dhe Ministër i Plotfuqishëm në Paris.

15) Murad Toptani (1867–1918)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Poet, publicist. Mori pjesë në Kuvendin historik të Vlorës në nëntor 1912 si delegat i Tiranës dhe firmosi Deklaratën me siglën “Murad Toptani”. Pas rënies së Qeverisë së Vlorës, Esat Pashë Toptani (kushëri i tij) i dogji shtëpinë dhe një pjesë të pasurisë—libra, korrespondencë, antikuare.

16) Luigj Gurakuqi (1879–1925)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Veprimtar i lëvizjes kombëtare; ministër, deputet, gjuhëtar, poet, publicist. Pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit (1908), anëtar i komisionit për njëhsimin e alfabetit. Mori pjesë në kryengritjen e malësorëve të Mbishkodrës dhe ishte bashkëhartues me I. Qemalin i Memorandumit të Gërçës.
Në vitin 1912 ishte ndër organizatorët e kryengritjes së përgjithshme. Në Kuvendin e Vlorës firmosi Deklaratën me siglën “Luz Gurakuqi”. Udhëhoqi Ministrinë e Arsimit në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës. Anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Deputet i Shkodrës dhe pjesëmarrës në Kuvendin Kushtetues të vitit 1924. Ministër i Financave në qeverinë e Fan Nolit. U vra në Bari në vitin 1925.

17) Spiridon Ilo (1876–1950)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Patriot, atdhetar. Shoqëroi Ismail Qemalin në udhëtimin Trieste–Durrës–Vlorë. Mori pjesë në Kuvendin e Vlorës në nëntor 1912, ku firmosi Deklaratën me siglën “Spiro T. Ilo”. Në vitin 1914 u përfshi në çetën e Themistokli Gërmenjit në luftimet kundër shovinistëve grekë.

18) Thanas Floqi (1884–1945)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Jurist, veprimtar i lëvizjes kombëtare, publicist, gjuhëtar, botues, kompozitor, përkthyes. Mori pjesë në Kuvendin e Vlorës në nëntor 1912, ku firmosi Deklaratën me siglën “Thanas V. Floqi”. Më pas punoi si jurist në administratën shtetërore në Vlorë.

19) Lef Nosi (1873–1946)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Veprimtar i lëvizjes kombëtare, albanolog, studiues, deputet, ministër. Në nëntor 1912 ishte delegat i Elbasanit në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi Deklaratën me siglën “Lef Nosi”. Në qeverinë e Ismail Qemalit u caktua ministër. Anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Në 1945 u burgos dhe u dënua me vdekje; u pushkatua në vitin 1946.

20) Nuri Sojliu (1870–1940)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Mbështeti Kongresin e Elbasanit dhe Kongresin e Manastirit, duke mbështetur alfabetin latin të shqipes. Në nëntor 1912 u zgjodh delegat i Strugës në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi Deklaratën me siglën “Nuri”. Mbështeti lëvizjet politike me frymë demokratike në vitet ’20.

21) Ferit Vokopola (1887–1967)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Teolog, ekonomist, poet, publicist, ministër, deputet. Në nëntor 1912 u zgjodh delegat i Lushnjës në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi Deklaratën me siglën “M. Ferit Vokopola”. Përfaqësoi Beratin në Parlamentin shqiptar (1923–1939). Ministër i Bujqësisë në kabinetin e Iljaz Vrionit (1927–1928).

22) Ymer Deliallisi (1873–1944)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Në nëntor 1912 u zgjodh delegat i Shijakut në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi Deklaratën me siglën “Ymer”. Në vitin 1920 përfaqësoi Shijakun në Kongresin e Lushnjës, ku u zgjodh senator.

23) Xhemal Deliallisi (1880–1941)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Në nëntor 1912 u zgjodh delegat i Shijakut në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi Deklaratën me siglën “Xhemmalyyddin bej”. U ngarkua me detyra në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës dhe në administratën e Princ Vidit.

24) Mustafa Merlika Kruja (1887–1958)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Deputet, ministër, kryeministër, albanolog. Si delegat i Krujës në Kuvendin e Vlorës më 28 nëntor 1912, firmosi Aktin me siglën “Mustafa Asim Kruja” dhe u zgjodh anëtar i Pleqësisë. U caktua nënprefekt në Vlorë dhe më pas sekretar i parë i Qeverisë së I. Qemalit. Në vitin 1919 ishte sekretar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Deputet i Kosovës në vitin 1921. Pas ardhjes së komunizmit u detyrua të arratisej. Vdiq në SHBA më 27 dhjetor 1958, në moshën 71-vjeçare.

25) Abdi Toptani (1864–1942)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, ministër. Në vitin 1902 organizoi kryengritjen e armatosur të malësorëve të Shëngjergjit dhe Shupalit kundër administratës osmane.
Në Kuvendin e Vlorës firmosi Aktin me siglën “Abdi”. U zgjodh Ministër i Financave në qeverinë e parë shqiptare.

26) Veli Harçi (1850–1914)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, intelektual. Ishte një intelektual i formuar dhe veprimtar i klubit patriotik të Gjirokastrës. Përfaqësoi Gjirokastrën në Kuvendin e Vlorës dhe firmosi Aktin me siglën “Veli Harçi”.

27) Nebi Sefa (1861–1942)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, atdhetar. Mori pjesë në kryengritjet e përgjithshme të viteve 1911 dhe 1912. Në nëntor 1912 u zgjodh delegat i Lushnjës për në Kuvendin e Vlorës, ku nënshkroi Aktin me siglën “Nebi Sefa Lushja”. Në vitet ’20 mbështeti politikën e forcave fanoliane.

28) Mit’hat Frashëri (1880–1949)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, intelektual, deputet, patriot, ministër. Pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit (1908), ku u zgjodh kryetar i Kongresit dhe nënkryetar i Komisionit të alfabetit. Në Kuvendin e Vlorës ishte delegat i Elbasanit dhe firmosi Aktin me siglën “Mid’hat Frashëri”. Në qeverinë e Ismail Qemalit u zgjodh Ministër i Punëve të Përgjithshme. Në vitin 1923 u caktua Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Athinë, deri në 1925. Më 1941 ishte një nga themeluesit e Ballit Kombëtar. U largua nga Shqipëria në nëntor 1944 dhe u vendos në Itali. Vdiq në New York më 3 tetor 1949.

29) Zihni Abas Kanina Hamzaraj (1885–1957)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, atdhetar, ministër. Mori pjesë në kryengritjen e përgjithshme të vitit 1911. Në Kuvendin e Vlorës firmosi Aktin me siglën “Zihni Abbas Kanina”. U zgjodh drejtor i përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Gjatë Luftës së Dytë Botërore iu bashkua Ballit Kombëtar. Në vitin 1951 u arrestua nga regjimi komunist dhe vdiq në burg më 1957.

30) Qemal Karaosmani (Elbasani) (1875–1949)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, patriot, deputet. Në nëntor 1912 u zgjodh delegat i Elbasanit në Kuvendin e Vlorës dhe shoqëroi Ismail Qemalin nga Durrësi në Vlorë. Firmosi Aktin me siglën “Qemal Elbasani”. Mbështeti qeverinë e dalë nga Kongresi i Lushnjës dhe për disa vite ishte asamblist. U persekutua nga regjimi komunist.

31) Sali Gjuka (1876–1925)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, atdhetar. Mori pjesë në kryengritjen e përgjithshme të viteve 1910–1912. Si përfaqësues nga Kosova dhe delegat i Pejës, Gjakovës, Plavës e Gucisë, mori pjesë në shpalljen e Pavarësisë dhe firmosi aktin me siglën “Salih Gjuka”. U zgjodh këshilltar i Pleqësisë. Në janar 1913 filloi punën si drejtor i arsimit për Beratin.

32) Dhimitër Berati (1888–1970)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, diplomat, ministër. Firmosi aktin me siglën “D. Beratti”, si delegat i kolonisë shqiptare të Bukureshtit. U emërua sekretar i kryetarit të Qeverisë, anëtar i Pleqësisë dhe drejtor i përgjithshëm i gazetës së Qeverisë së Vlorës. Në Konferencën e Paqes (1919) ishte delegat i shqiptarëve të Bukureshtit.

33) Dhimitër Mborja Emanoil (1884–1945)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Më 28 nëntor 1912 firmosi aktin me siglën “Dh. Emmanuel” në emër të kolonisë së Bukureshtit. Në shkurt 1915 u zgjodh këshilltar i shoqërisë “Komuniteti Ortodoks Shqiptar i Bukureshtit”. Më 1924 mbështeti qeverinë e Nolit. Ishte kundër regjimit komunist.

34) Dhimitër Zografi (1878–1945)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, atdhetar. U zgjodh delegat i kolonisë shqiptare të Bukureshtit për të marrë pjesë në Shpalljen e Pavarësisë. Më 28 nëntor 1912 firmosi aktin me siglën “Dimitri Zografi”. Anëtar i Pleqësisë. Kundërshtoi vendimet e padrejta të Konferencës së Parisit në kurriz të Shqipërisë dhe nënshkroi protesta drejtuar kryesisë së saj në qershor 1919.

35) Pandeli Cale (1879–1923)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, atdhetar, ministër, deputet. Në kryengritjen e përgjithshme të viteve 1910–1912 drejtoi çetat e zonës së Korçës. Mori pjesë në mbledhjen e Bukureshtit (5 nëntor 1912) dhe shoqëroi Ismail Qemalin për në Shqipëri.
Më 28 nëntor 1912, si delegat i Korçës, firmosi aktin me siglën “Pandeli Cale”. U zgjodh anëtar i qeverisë së parë shqiptare. Mori pjesë aktive në lëvizjen patriotike që çoi në Kongresin e Lushnjës (1920). Po atë vit ishte prefekt i Korçës, dhe në shkurt 1921 deputet në parlamentin e parë shqiptar.

36) Bedri Pejani (1885–1946)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Delegat në Kongresin e Dytë të Manastirit (1910) dhe sekretar i Komitetit të Kosovës (1918–1924). Në nëntor 1912 mori pjesë si përfaqësues i Plavës, Gucisë, Gjakovës dhe Pejës në Kuvendin e Vlorës dhe firmosi aktin me siglën “Bedri Pejan”.
Në vitin 1943 ishte ndër nismëtarët e “Lidhjes së Dytë të Prizrenit” dhe deri në vitin 1944 kryetar i saj. Pas luftës u arrestua në Shqipëri. Vdiq pak pasi doli nga burgu në 1946.

37) Qemal Mullaj (1881–1966)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, atdhetar, deputet. Si delegat i Lushnjës, në nëntor 1912 mori pjesë në Kuvendin e Vlorës dhe firmosi aktin me siglën “Qem. Mullaj”.
Pas rënies së qeverisë së Vlorës dhe shpërthimit të Luftës së Parë Botërore u largua nga Shqipëria. U kthye rreth vitit 1920, ku u përfshi sërish në politikë. Deputet në parlamentin e parë shqiptar.

38) Dr. Myrteza Ali Struga (Dibra) (1876–1937)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, mjek, patriot. Në nëntor 1912, së bashku me Zyhdi Ohrin dhe Nuri Sojliun, u zgjodh delegat i Ohrit dhe Strugës për në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi aktin me siglën “Dr. H. Myrteza Aliu”. Si përfaqësues i Ohrit e Strugës ishte delegat edhe në Kongresin e Lushnjës (1920).

39) Aristidh Ruci (1875–1950)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, atdhetar. Mori pjesë në kryengritjen e përgjithshme të vitit 1911. Ishte delegat i Vlorës në kuvendin që shpalli pavarësinë dhe firmosi aktin me siglën “A. Ruci”. Në vitin 1937 u zgjodh anëtar i kryesisë së Bankës Kombëtare Shqiptare.

40) Zyhdi Ohri (1872–1938)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, atdhetar, senator. Në vitet 1898–1900 u përfshi në Lidhjen Shqiptare të Pejës. Në nëntor 1912 u zgjodh delegat i Ohrit në Kuvendin e Vlorës dhe firmosi aktin me siglën “Zuhdi Ohri”. Ishte pjesë e Senatit të dalë nga qeveria e Ismail Qemalit. Në vitin 1920 mori pjesë në Kongresin e Lushnjës.

590196159 1281433337358519 9154682908749993971 n

pavarësia Saimir Kadiu
Share. Facebook Twitter Pinterest LinkedIn Email WhatsApp

Postime te ngjashme

Rrethimi i Sali Berishës nga “tradhtarët”

19:59 / December 4, 2025

Një fotografi e re e PD, që na e ka fshehur Berisha

21:19 / December 3, 2025

Përse shqiptarët nuk protestojnë atëherë kur i thërret opozita ?

19:58 / December 3, 2025

Një propozim pozitiv i PD për të shmangur gjyqet popullore të SPAK

19:59 / December 2, 2025
Add A Comment
Leave A Reply Cancel Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

© 2025 TiranaNews. Te gjitha te drejtat e rezervuara.
  • Kontakt
  • Politikat e privatesise

Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.