Kryebashkiakja e Durrësit dhe kandidate për një mandat të dytë, Emiriana Sako ka zhvilluar një takim me banorët e lagjes 14 Shkozet Durrës, të cilëve u garantoi ndërhyrje dhe investime të shumta në arsim, ujësjellës, infrastrukturë rrugore dhe turizëm.
Sako tha se rindërtimi është një kapitull i rëndësishëm i punëve të bëra por ka akoma nevojë që infrastruktura në zona të caktuara të Durrësit të arrijë standartet e qendrës. Kryebashkiakja e Durrësit, njëkohësisht kandidate e Partisë Socialiste për zgjedhjet e 14 majit në takimin me banorë të Shkozetit, premtoi se do të punojë me dinjitet për të zhvilluar këtë bashki.
“Rindërtimi është një kapitull i rëndësishëm i punëve të bëra në qytetin tonë, këtu e kemi prekur në ndërhyrje në pallate të ndryshme, por brenda vitit 2024 me mbështetjen e qeverise shqiptare dhe kryeministrit do të mbyllim të gjithë programin e rindërtimit dhe do të futen në shtëpi të gjithë banorët që presin ende banesat e tyre. Në zonën e Shkozetit po punohet për ndërtimin nga e para të shkollës së mesme “Olsi Lasko”, konviktit të shkollës së mesme profesionale “Beqir Çela” dhe shkollës 9-vjeçare “Isuf Ferra”,-u shpreh Sako.