Sali Berisha e ka pranuar hapur se është kundër Vettingut! Edhe pse ndërkombëtarët janë investuar dhe kanë deklaruar se vettingu duhet të vijojë që të shkohet deri në fund pastrimit të drejtësisë, Berisha e thotë me zë të lartë se do të hedh votën e tij kundër në Kuvend, pasi nuk është dakord që të shtyhen afatet.
Ai e cilëson vetingun si mekanizmin më shkatërrimtar të drejtësisë.
“Unë konsideroj vetingun nga lart poshtë si mekanizmin më shkatërrimtar të drejtësisë. Kurrë unë nuk bëhem bashkëfajtor në një akt të shëmtuar që la Shqipërinë të kapur nga narkoekzekutivi, që privoi shqiptarët nga e drejta themelore e një procesi të drejtë gjyqësor, që ka bllokuar investimet e huaja, që po rrit inkriminimin e shoqërisë dhe krimin e organizuar. Para tre vjetësh kur nuk kishte Gjykatë të lartë ishin 35 mijë dosje pa u shqyrtuar dhe sot pas dy vitesh punë të Gjykatës së lartë numri I dosjeve është po 35 mijë. U shkatërrua në mënyrën më të papërgjegjshme një sistem që kishte probleme, por që ishte ky sistem që me burgosjen e banadve bëri futjen e Shqipërisë në NATO. A e dini ju që një task forcë në atë kohë dërgoi 350 zyrtarë në gjykatë A e dëgjuat ju regjistrimin e Erion Velisë, e bënë SPAK-un në një institucion që e ndërzen kudo.Vota pro zgjatjes së organeve të vetingut është një akt bashkëqeverisjeje”, tha Berisha në një intervistë për emisionin ‘Log’.
Berisha ka hedhur akuza dhe ndaj kryetarit të Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi, ish-kreun e KED Ardian Dvorani dhe Ervin Pupes në lidhje me vetingun. Sipas ish-kryeministrit dosjet e tyre ruhen në kasafortë.
“Më gjej pak vetingun e Sokol Sadushit, Ardian Dvoranit dhe Ervin Pupes, atë veting e ka bërë KLGJ dhe është krejtësisht i zi, e mban në kasafortë një Ilir Toska, ata janë për t’u proceduar, janë të gjithë peng të Ramës. Kur i thashë Bashës më thoshte mos e thuaj, po unë e thashë. Unë kam dashur të mbaj interesin publik sepse s’më detyronte të heshtja”, tha Berisha.
Ndërkombëtarët kanë kërkuar hapur që parlamenti të kalojë reformën kushtetuese për të zgjatur mandatin e anëtarëve të KPK. Në qershor të 2022 Komisionit të Pavarur të Kualifikimit njohur si vetingu në shkallën e parë, i skadon afati, në një kohë që gjysma e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk i janë nënshtruar ende procesit të verifikimit për ligjshmërinë e pasurive, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale. Afati i këtij institucioni ishte 5 vite, për shqyrtimin e figurës së afro 800 subjekteve, gjë që nuk u arrit në kohë. Për këtë arsye mazhoranca ka artikuluar se do të kërkojë shtyrjen e afatit të trupës së shkallës së parë të vetingut dhe komisionerit publik, ndërsa i ka bërë thirrje opozitës që të bashkëpunojnë në këtë aspekt.