Ish-deputeti Ervin Salianji thotë se aksioni i opozitës shqiptare nuk ka mbaruar dhe rezultatet konkrete të djegies së mandateve, bojkotit të zgjedhjeve dhe protestave nuk mund të shihen ende pa përfunduar ky aksion.
Salianji tha se opozita nuk lufton për pushtet, por për të ndryshuar sistemin 30-vjeçar politik në vend.
Salianji theksoi se qëllimi i opozitës është të “heqë” Ramën “një orë e më parë”, por kjo nuk mund të arrihet me 5 muaj aksion.
“Kemi një opozitë që është në një kauzë të drejtë, legjitime dhe komunikuese me publikun sa që edhe kundërshtari më i paguar nuk e kundërshtojnë dot qëllimin me mjetin. Mjeti me të cilin ne kemi menduar është një mjet, djegia e mandateve, mosmarrja pjesë në zgjedhje, dhe një rrymë tjetër mund të ketë qenë që të mbajmë pak pushtet këtu, pak aty dhe me këtë pushtet të rritemi. Unë shoh që deri sot opozita ka mbështetje më të madhe, opozita sot nuk lufton për pushtet por për ndryshimin e sistemit. Ndryshimin e sistemit nuk e bëjmë me palën tjetër. Nuk ka asnjë diskutim që ndryshimet nuk kanë arritur midis forcave politike.
Ne nuk e kemi problemin me datën e zgjedhjeve por me standartet. Sot të gjithë e kanë kuptuar që edhe në këtë periudhë ka vrasje, ka krim, ka edhe vjedhje por nuk ka drejtësi, nuk ka ndërhyrje. Do ta ndryshojmë sistemin duke iu propozuar qytetarëve ndryshimin, duke çuar drejtësinë aty ku e ka vendin te qytetarët.
Nuk kemi ndryshim strategjie, kemi të njëjtën strategji. Ne nuk jemi në fund të aksionit, jemi në aksion. Rezultatet shihen në fund. Kryeministri nuk ikën, po të ishte demokratike do kishte ikur. Do ta shohim. E sigurtë është që opozita ka mbështetjen e qytetarëve. Aksioni i opozitës ka pasur mbështetje të madhe në masë. Ne duam ta heqim një orë e më parë por aksioni i opozitës për të ndryshuar një sistem që ka së paku 30 vite nuk mund të matet me 5 muaj” tha Salianji.