Në Bërdo të Sllovenisë, këtë të hënë po mbahet samiti i Procesit Brdo-Brijunit, ku do të diskutohet për situatën në Ballkanin Perëndimor. Të pranishëm janë presidenti slloven Borut Pahor, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i Kroacisë, Zoran Millanoviq, si dhe anëtarët e presidencës trepalëshe të Bosnjës, Shefik Xhaferoviç, Millorad Dodik dhe Zhelko Komshiç.
Presidenti shqiptar Bajram Begaj, i pranishëm për herë të parë në një samit, është shprehur se zgjerimi i Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor është çështje gjeostrategjike për sigurinë dhe paqen. Sipas tij europianizimi i Ballkanit Perëndimor kërcënohet seriozisht nga aktorë të tretë.
“Lufta në Ukrainë është një pikë kthese për qasjen e BE-së ndaj integrimit të Ballkanit Perëndimor. Agresioni rus, paqja dhe siguria s’mund të merren si të mirëqena. Lufta në Ukrainë po riformëson skenën ndërkombëtare gjeo-politike dhe gjeo-ekonomike”, tha ndër të tjera Begaj.

