Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe njëherësh Drejtues Politik për Diasporën, Taulant Balla, ka reaguar lidhur me thirrjen e Samitit të IV të Diasporës Shqiptare, që do të mbahet më 14–15 Prill 2026, nën kujdesin e Kryeministrit Edi Rama.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla thekson se Shqipëria ndodhet sot në nivelin më të lartë të përfaqësimit dhe dinjitetit të saj në arenën ndërkombëtare në 113 vite shtet, duke u shndërruar në një model stabiliteti dhe bashkëpunimi në Ballkanin Perëndimor.
“Shqipëria sot është anëtare e Bordit të Paqes, vend pritës i Samitit të NATO-s dhe në rrugë të sigurt drejt përmbylljes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian brenda vitit 2027. Kjo është një arritje që i përket të gjithë shqiptarëve, kudo që ndodhen,” – shprehet Balla.
Ai nënvizon se diaspora shqiptare ka një rol kyç në këto momente historike për vendin, duke e cilësuar Samitin IV si një hapësirë dialogu, bashkëpunimi dhe vizioni mes shqiptarëve në mbarë botën dhe institucioneve në Shqipëri.
“Sipas Ballës, Samiti i Diasporës është një mundësi reale për të ndarë ide, përvoja dhe për të forcuar lidhjet mes diasporës dhe shtetit shqiptar, në funksion të Shqipërisë europiane dhe të së ardhmes së përbashkët,” thuhet në reagim.
Samiti IV i Diasporës Shqiptare pritet të mbledhë përfaqësues të komuniteteve shqiptare nga vende të ndryshme të botës, si dhe aktorë institucionalë, ekonomikë dhe shoqërorë nga Shqipëria.
