Dënimi i dhënë nga gjykata e Milanos me 8 vite burg për përdhunimin e një shtetaseje shqiptare, vazhdon të jetë pengesë për ish-sulmuesin e Brazilit, Robinjo. Në vitin e kaluar, ai dukej shumë pranë kthimit te Santos në Brazil, por klubi u detyrua nga sponsorët që të prishte marrëveshjen me të.
Të gjithë sponsorët deklaruan se nuk dëshironin të kishin lidhje me një person të dënuar edhe në Apel si përdhunues e që kërkohej nga drejtësia italiane. Kështu, Santosi shkëputi çdo lidhje me lojtarin në fjalë.
Megjithatë, sot Robinjo ka marrë një leje të veçantë për t’u kthyer në strukturat e klubit. Një tifoz ka postuar një foto teksa vizitohej te mjeku i Santos, pasi është ende në fazë riaftësimi nga një dëmtim që ka pësuar. Klubi I Santosit bëri të ditur se lojtari nuk do të shfrytëzonte ambientet e klubit përtej kësaj vizite mjekësore.