Pesë persona kanë rënë në prangat e policisë së Sarandës, pasi akuzohen se tërhoqën pa leje një mjet lundrues tip veliere, të sekuestruar nga Policia, që ishte ankoruar në portin e Limionit.
5 shtetasit e arrestuar janë pjesëtarë të ekuipazhit të anijes së peshkimit që tërhoqi mjetin lundrues veliere nga vendi ku ishte lënë në ruajtje nga Policia Kufitare.
Në vijim të veprimeve hetimore të kryera për këtë rast u arrestuan në flagrancë shtetasit:
– A. N., 53 vjeç, drejtuesi i anijes së peshkimit;
– A. E., 55 vjeç, S. G., 40 vjeç, M. E., 43 vjeç dhe I. A., 34 vjeç, të katërt shtetas egjiptianë, punëtorë peshkimi.
Gjithashtu, në vijim të veprimeve për këtë rast, nisi procedimi në gjendje të lirë për punonjësin e policisë inspektor A. M., me detyrë trup shërbimi në Komisariatin e Policisë Kufitare Sarandë, pasi nuk ka marrë masa për ruajtjen e mjetit veliere të sekuestruar dhe nuk ka konstatuar mungesën e mjetit lundrues, pas lënies së shërbimit.