Kryeministri Edi Rama vazhdon t’i qëndrojë mendimit të tij se nuk kemi të bëjmë me aferë të inceneratorëve, duke u shprehur se është bërë një punë e mirë për të shpëtuar tre komunitet nga makthi i plehrave.
Në një replike me një qytetar në Facebook, kreu i qeverisë shprehet se nëse në këtë punë të mirë ka pasur edhe individë që mbrapa shpinës së qeverisë, kanë abuzuar me pushtetin e tyre, për të nxjerrë përfitime të paligjshme, këtë e nxjerr hetimi dhe gjykimi i drejtësisë, jo propaganda politike.
Qytetari: A ndjeni pergjigjesi Ju Z. Kryeministër per aferën e inceneratorve?.
Edi Rama: Për cilën “aferë të inceneratorëve” se unë nuk di ndonjë aferë inceneratorësh, po di një punë të mirë që ka shpëtuar tre komunitete të mëdha nga makthi i plehrave, në Tiranë, Elbasan dhe Fier! Nëse në këtë punë të mirë ka pasur edhe individë që mbrapa shpinës së qeverisë, kanë abuzuar me pushtetin e tyre, për të nxjerrë përfitime të paligjshme, këtë e nxjerr hetimi dhe gjykimi i drejtësisë, jo propaganda politike apo balta mediatike! Por kjo nuk e ndryshon faktin se veprat janë ndërtuar, janë aty dhe janë në shërbim të komuniteteve, të shëndetit publik e të mjedisit.