Në një takim me gazetarët në këtë fundvit, kreu i SPAK-ut Altin Dumani iu përgjigj një sërë pyetjesh lidhur me çështje tepër të ndjeshme përgjatë këtij viti politik në vend. Sa i përket sekuestrimit ndaj Monika Kryemadhit, apo hetimet ndaj Metës, Dumani tha: “Kontrollet tona janë instrument për të gjetur proven. Sa i takon Metës, është çështje ndaj të cilës po kryhen ende hetime dhe nuk kam një koment”.
Duke komentuar vendimin e SPAK-ut për Sali Berishën, Dumani ka theksuar se vendimet e prokurorisë janë konfirmuar në të dyja shkallët e gjyqësorit. Në përgjigje të pyetjes nëse ka pasur qëndrime të ndryshme lidhur me kërkesën për “detyrim paraqitje” për kryetarin e PD Sali Berisha, sikundër edhe juristët janë ndarë nëse do duhej apo jo autorizim nga Parlamenti, Dumani komentoi veprimet që ka kryer SPAK.
Lexo edhe :
Related Posts
“Nuk mund t’i japim Kuvendit kompetenca kushtetuese kur nuk i ka. E kemi diskutuar. Është diskutuar edhe me drejtuesin e prokurorisë. Kërkesa është lënë në fuqi nga të dyja shkallët, edhe ajo e parë edhe nga Apeli”.
Nga ana tjetër, Dumani premtoi “zhvillime të reja” edhe për ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetajn, i cili ndodhet ende në arrati në shtator të këtij viti. Dumani u pyet lidhur me vendndodhjen, ndërsa përgjigja ishte “Po hetojmë”.
Po ashtu kreu i SPAK-ut u pyet në lidhje me fazën në të cilën ndodhet hetimi për çështjen McGonial. “Ne nuk mund të japim asnjë informacion. Kemi pasur një kallëzues, z. Gazment Bardhi, të cilin e kemi informuar për gjithçka që ka kërkuar, pasi e kemi detyrim ligjor informimin e kallëzuesit. Por i kemi kërkuar të nënshkruajë mbi ruajtjen e sekretit hetimor dhe të mos bëjë publik informacionin e marrë”, u shpreh Dumani.
Në lidhje me hetimet e këtij viti, Altin Dumani tha: “Në 2023 kemi dyfishuar numrin e hetimeve proaktive. Vetëm për këtë vit ka 68 çështje të nisura kryesisht, duke mbajtur rekordin e 3 vjetëve SPAK. Çështjet të ndara, krim dhe korrupsion. Indiciet janë marrë nga mediat, deklaratat e politikanëve dhe burime të agjentëve të BKH.”



