Mbi 160 kilogramë kokainë janë sekuestruar nga Guardia di Finanza në provincën e Bergamos, në një operacion të koordinuar nga repartet që veprojnë nën drejtimin e Gjykatës së Apelit të Brescias. Në kuadër të këtij operacioni, dy shqiptare janë arrestuar dhe dërguar në burg, nën akuzën e trafikut të lëndëve narkotike.
Sekuestroja u krye pas ndalimit të një automjeti të rëndë tip TIR në një zonë industriale të Bergamos. Autoritetet italiane njoftuan se pas disa shërbimeve vëzhguese dhe kontrolleve në zonat industriale dhe tregtare të provincave Brescia dhe Bergamo, të cilat konsiderohen me interes të lartë hetimor, u vunë re lëvizje të dyshimta të automjetit të rëndë.
Drejtuesi i TIR-it hyri në rimorkio dhe priti mbërritjen e një automjeti të dytë, të cilit iu dorëzuan shtatë çanta të mëdha. Efektivët e Guardia di Finanza ndërhynë menjëherë, duke bllokuar mjetet dhe arrestuar personat e përfshirë.
Gjatë kontrollit, u sekuestruan gjithsej 150 pako me kokainë, me një peshë totale mbi 160 kilogramë. Sipas vlerësimeve, lënda narkotike do të sillte fitime rreth 20 milionë euro në tregun e paligjshëm.
