Të ulesh para një kompjuteri për gjithë ditën mund të jetë e rrezikshme për shëndetin tuaj. Dhimbjet në shpinë, sytë e skuqur dhe problemet me gjumin mund të jenë pasoja të një mjedisi pune me nivel stresi në rritje. Më keq akoma, niveli i stresit shkon deri në ankth, apo në probleme me zemrën. Të gjitha këto, kanë një emërues të përbashkët: puna!
Organizata Botërore e Shëndetësisë i ka shpallur ‘sëmundjet profesionale’ si problematike kudo në botë; ato nisin nga problemet me sytë, shtyllën kurrizore dhe deri te sëmundjet që vijnë nga sektorë të cilën konsiderohen të rrezikshëm, si për shembull minierat.
‘Sëmundjet profesionale’
1. Rraskapitje psikologjike
Sipas statistikave shkencore, stresi në punë favorizon manifestimet klinike të sëmundjeve koronare kardiovaskulare, duke vepruar si një faktor i lartë rreziku për to. Specialistët e fushës psikologjike në Klinikën Venis në kryeqytet thonë se stresi për një kohë të gjatë në punë me kalimin e kohës shndërrohet në një gjendje konsumimi fizik e mendor (që në literaturë quhet “Burnout”), i cili ka pasoja shumë të rënda për individët.
Këto gjendje shoqërohen shpeshherë me simptoma trupore si dhembje koke, dhembje qafe, rëndim prapa kokës, luhatje emocionale, rishfaqje e beftë e ankthit, shtrëngime në zemër, rrahje të shpejta të zemrës, probleme me frymëmarrjen etj.
2. Ana sociale
Socologia Marsida Simo thotë se, prej vitesh, kryesisht në vendet e zhvilluara, orari i punës është diskutuar për të qenë më i shkurtuar. Kjo për arsye që në fund të ditës, punonjësi të kryejë një punë me produktivitet, po ashtu të ketë edhe energji për t’ju përkushtuar vetes, familjes apo dhe fëmijëve.
“Në vendin tonë, nuk janë vetëm të shfrytëzuar në punë personat që kryejnë një veprimtari fizike, por edhe ata që punojnë në zyra apo në sektorin e shërbimit. Orari i zgjatur është tipar kryesisht në shumë kompani private, të cilat priren të paguajnë jo në nivelin e duhur punonjësit, dhe nga ana tjetër t’i mbajnë jashtë orarit të punës. Shpeshherë, justifikimi nga ana e punëdhënësit vjen me arsyen se punëmarrësi nuk arrin ta kryejë punën brenda orarit zyrtar, si një paaftësi e këtij të fundit. E, nga ana e punëmarrësit, nuk mund të ankohet, pasi vendi i punës është shumë i rëndësishëm. Megjithatë, të mos harrojmë se produktiviteti i njeriut nuk mund të jetë kurrsesi në nivelin e duhur në një punë e cila bëhet frustruese dhe nuk të lë hapësira për pjesën e jetës personale. E si rrjedhim, pjesëtarët e familjes kalojnë në plan të dytë, duke sjellë edhe konflikte, të cilat duan më shumë kohë të zgjidhen, për shkak të mungesës së kthjelltësisë edhe prej stresit dhe lodhjes nga puna”,- thotë znj. Simo.
3. Kujdes zemrën!
Eristen Kuka, mjek kardiolog në Qendrën Shëndetësore nr. 9 në Tiranë, thotë se, studime të shumta vërtetojnë se stresi ndikon negativisht në çrregullime të rrahjeve të zemrës dhe si rrjedhojë, në sëmundje fatale.
“Rrahjet e çrregullta të zemrës janë perceptuar si anomali të rrahjes së zemrës dhe karakterizohen nga ndërgjegjësimi i kontraktimeve të muskujve kardiake në gjoks si rrahje me vështirësi, rrahje të shpejta / ose të parregullta. Rrahjet e parregullta të zemrës mund të jenë të ndryshueshme ose të vazhdueshme.
Këto lloj rrahje të zemrës mund të ndodhin në kohë të caktuara, ose mund të zgjasin për periudha të gjata kohore. Rrahjet e zemrës mund të jenë të lidhura gjithashtu me sëmundje të zemrës: sulm në zemër, sëmundje koronare arteriale, dështim të zemrës, probleme të valvulave të zemrës, probleme të muskujve zemrës. Një ndër shkaqet që mund t’u atribuohet këtyre çrregullimeve të rrahjeve është ankthi dhe stresi”- thotë z. Kuka.
Ai shton se, ankthi dhe stresi rrisin nivelin e kortizolit dhe adrenalinën e trupit, e cila nga ana tjetër mund të ndërhyjë me funksionimin normal të sistemit nervor. Në mënyrë të ngjashme, stresi fizik dhe mendor mund të ndikojnë në paraqitjen e dridhjeve dhe çrregullimeve të zemrës. Dr. Kuka thotë se edhe ilaçet kundër depresionit kanë ndikimin e tyre në dëmtimin e zemrës.
4. Stresi dhe personaliteti
Shkaku i parë janë tiparet e personalitetit të një individi, sepse njerëzit që janë më të ndjeshëm, që janë shumë të përgjegjshëm ndaj detyrave që marrin, ata që punojnë në profesione që i vënë përpara detyrimeve për të pasur kufizime në kohë për të arritur objektivat, janë më të prirë për t’u stresuar. Po ashtu, edhe personat që janë analitikë, që analizojnë në detaje një ngjarje apo bëjnë analiza të thelluara të punës, të raporteve të tyre me të tjerët. Edhe njerëzit që synojnë të arrijnë përsosmërinë, që i duan gjërat e veta deri në imtësi të realizuara në mënyrë të përkryer janë të predispozuar për t’u prekur më tepër nga çrregullimet e stresit dhe të ankthit.
5. Më shumë stres
Një shoqëri e stresuar, pikë së pari, nuk ka produktivitet në punë. Kjo ishte fjalia e parë që pohoi dr. Arjana Rreli, mjeke psikiatre. “Janë rritur faktorët stresues, pasiguria në vendin e punës. Pamundësia për të gjetur punë, por edhe konfliktet brenda familjes rrisin nivelin e stresit, gjë që rrit nivelin e ankthit. Diçka që po ndryshon vitet e fundit në Shqipëri është mungesa e kompleksit për të pranuar kur kanë probleme, njerëzit po ndërgjegjësohen për të kërkuar ndihmë, ndaj pohoj që kam më shumë njerëz në klinikë që vijnë”, – tha Dr. Rreli.
6. Sipas saj, shkaqet e stresit janë të ndryshëm.
“Unë do të pohoja sigurisht si shkak të parë tiparet e personalitetit të një individi, sepse njerëzit që janë më të ndjeshëm, që janë shumë të përgjegjshëm ndaj detyrave që marrin, ata që punojnë në profesione që i vënë përpara detyrimeve për të pasur kufizime në kohë për të arritur objektivat, janë më të prirë për t’u stresuar. Po ashtu, edhe personat që janë analitikë, që analizojnë në detaje një ngjarje apo bëjnë analiza të thelluara të punës, të raporteve të tyre me të tjerët.
Edhe njerëzit që synojnë të arrijnë përsosmërinë, që i duan gjërat e veta deri në imtësi të realizuara në mënyrë të përkryer janë të predispozuar për t’u prekur më tepër nga çrregullimet e stresit dhe të ankthit”, – thotë znj. Rreli. Shkak tjetër, që përmend mjekja janë dhe stresorët e jashtëm: një njeri që është në kërkim të një pune, që nuk ka gjetur dot shpërblimin për një investim në një vend pune, por edhe ata që janë të vetmuar, pa një partner.
“Është parë nga studimet që beqarët apo njerëzit që kanë humbur lidhjet, qoftë shoqërore apo civile, janë njerëzit më të predispozuar për t’u prekur nga stresi. Po ashtu, personat në vështirësi ekonomike të konsiderueshme, dhe që minimalisht, një kryefamiljar s’ka mundësi të çojë në shtëpi ushqimet bazë, është në presionin e njeriut përgjegjës për sigurimin e të ardhurave.”- thotë mjekja. Dr. Rreli përmend si shkak të rëndësishëm në shtimin e stresit në mesin e shqiptarëve dhe sjelljen konfliktuale, edhe në punë, që sipas saj është tipar i popujve ballkanas.
7. Çlodhje
Ka edhe kështu. Profesionistë apo sipërmarrës të stresuar gjatë orareve të gjata, që kërkojnë çlodhje. Emona Begolli, nga “Bamboo SPA”, thotë për “Monitor” se është shtuar numri i biznesmenëve që vijnë për të marrë një shërbim masazhi, për të larguar streset e ditës së ngarkuar.
Sipas saj, masazhet janë shërbimi më i kërkuar nga klientët meshkuj dhe kryesisht, drejtues të bizneseve të caktuara që, kërkojnë të çlirojnë energjitë negative të një ditë të stresuar përmes këtyre shërbimeve. Znj. Begolli pohon se një pjesë e këtyre sipërmarrësve janë të abonuar rregullisht, por ka edhe të tjerë që vijnë për të marrë shërbime masazhi pas një dite mbledhjeje të gjatë apo me vendimmarrje të rëndësishme në biznes./Monitor/