Në një zhvillim të rëndësishëm politik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Senati i SHBA-ve ka miratuar një paketë financimi që synon të mbajë funksionale pjesën më të madhe të Departamentit të Sigurisë Kombëtare (DHS), por që lë jashtë financimin për Shërbimin e Emigracionit dhe Doganave dhe një pjesë e Shërbimit të Mbrojtjes së Kufirit dhe Doganave.
Vendimi u mor përmes një votimi verbal gjatë një seance të pazakontë gjatë natës, vetëm pak orë përpara se Kongresi të hynte në pushimin e planifikuar dyjavor. Paketa synon të zgjidhë pjesërisht bllokimin financiar që ka prekur disa agjenci kyçe për rreth gjashtë javë. Ndër institucionet që do të përfitojnë nga ky financim janë Transportation Security Administration (TSA), US Coast Guard, Federal Emergency Management Agency (FEMA) dhe Cybersecurity and Infrastructure Security Agency (CISA).
Megjithatë, për t’u bërë ligj dhe për t’i dhënë fund zyrtarisht mbylljes së pjesshme, paketa duhet të miratohet edhe nga Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-ve, e cila mund të votojë që të premten. Deri tani, ligjvënësit kanë qenë të ndarë për më shumë se dy muaj mbi mënyrën e financimit të plotë të DHS-së.
Demokratët kanë kërkuar vendosjen e kufizimeve më të forta ndaj zbatimit të ligjeve të emigracionit, duke përmendur shqetësime për sigurinë dhe raste tragjike nga e kaluara. Nga ana tjetër, republikanët kanë kundërshtuar këto kushte, por në fund ranë dakord me një kompromis të minutës së fundit që lejon rihapjen e agjencive më të prekura, duke përjashtuar ICE dhe CBP nga financimi i ri.
Chuck Schumer, lideri i pakicës në Senat, përshëndeti marrëveshjen, por kritikoi republikanët për vonesat, duke deklaruar se situata mund të ishte zgjidhur më herët. Ai theksoi gjithashtu se demokratët do të vazhdojnë të kërkojnë reforma në mënyrën sesi zbatohet politika e emigracionit.
Ndërkohë, Donald Trump ka deklaruar se do të nënshkruajë një urdhër ekzekutiv për të paguar menjëherë rreth 50 mijë punonjës të sigurisë në aeroporte, në përpjekje për të zbutur krizën që ka shkaktuar vonesa të gjata dhe pakënaqësi të madhe tek udhëtarët.
Situata në aeroportet amerikane është bërë kritike, me radhë të gjata dhe udhëtarë të zemëruar që humbasin fluturimet për shkak të mungesës së stafit dhe mos pagesave të zgjatura për punonjësit e TSA-së. Kriza ka nxjerrë në pah pasojat e drejtpërdrejta të bllokimeve politike në jetën e përditshme të qytetarëve dhe funksionimin e infrastrukturës kritike të vendit.
