Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar për rrëmbimin e tre zyrtarëve policorë në veri. Përmes një postimi, ai thekson se dyshohet që rrëmbimi është bërë nga ushtria serbe si një shenjë hakmarrjeje për arrestimin një ditë më parë të Millun Millenkoviçit, drejtues i Mbrojtjes Civile në veri.
“Tre zyrtarë të policisë së Kosovës janë rrëmbyer sot në Leposaviq në vendin ku dikur kishte një rrugë ilegale të kontrabandës e që ndodhet rreth 300 metra në brendësi të territorit të shtetit tonë. Dyshojmë që ata janë rrëmbyer nga ushtria e Serbisë, qartazi si hakmarrje e Serbisë për arrestimin e djeshëm të kriminelit famëkeq Millun Millenkoviq – Lune, i cili paraqet një ndër krerët e krimit të organizuar dhe kontrabandës. Policia e Kosovës është treguar tejet e vetëpërmbajtur këto javët e fundit.”
Kurti bën thirrje që tre policët të lirohen dhe e cilëson këtë akt si agression me qëllim destabilizimin, ndërsa kërkon që faktorët ndërkombëtarë të reagojnë.
“Hyrja e forcave të Serbisë në territorin e Kosovës është agresion dhe synim për eskalim dhe destabilizim. Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve të rrëmbyer policor dhe ftojmë faktorët ndërkombëtarë që të dënojnë këtë akt agresioni të Serbisë.”