Durrësi është qyteti që pret numrin më të madh të turistëve në të gjithë vendin, duke u shndërruar edhe në kryeqytetin e turizmit në Shqipëri. Ne emisionin “Vendi Im” kryetarja e bashkisë Emiriana Sako tregon se përveç detit dhe klimës, falë investimeve të biznesit, Durrësi ofron edhe hotele moderne me kushte shumë të mira për akomodimin e turistëve.
Por Durrësi pret turistë edhe në stinën e dimrit, turistë të cilët tërhiqen nga historia e qytetit 3 mijëveçar.
“Ne kemi një shtrirje prej disa vitesh të sezonit, kemi pasur si objektiv shtrirjen përgjatë gjithë vitit të turizmit, sepse Durrësi ka gati 300 ditë më diell në vit dhe ne nuk shohim turistë vetëm në periudhën nga marsi në tetor. Edhe gjatë dimrit shohim shumë të huaj të cilët vizitojnë qytetin, vizitojnë monumentet tona të trashëgimisë kulturore. Amfiteatri është një aset shumë i rëndësishëm, i cili është i vetmi në ballkan, por edhe objekte të tjera të trashëgimisë kulturore, kemi muzeun arkeologjik dhe muzeun etnografik,” shpjegon kryebashkiakja Sako.
Përballë rritjes së numrit të turistëve, një prej sfidave për bashkinë e Durrësit mbetet pastrimit. Kryebashkiakja Sako vë në dukje së këtë proces bashkia e realizon me ndërmarrjet e saj.
“Ne i kemi dhënë prioritet pastrimit, sepse shohim që është një ndër elementët më të rëndësishëm për turistët. Pra përveç sigurisë, infrastrukturës dhe kushteve të bregdetit, hotelit, pastrimi është një element kyç dhe i kemi dhënë një rëndësi të veçantë. Ne i kemi ndërmarrjet të shërbimit publik, janë një numër i madh punonjësish të cilët janë ngarkuar në terren gjatë gjithë kohës, pra mbulohet 24 orë pastrimi i qytetit. Dhe gjatë sezonit ne dyfishojmë dhe trefishojmë evadimin e mbetjeve, sepse ka një ngarkesë të madhe sigurisht,” sqaron kryetarja e bashkisë Sako.
Më shumë se 1.5 milionë turistë e kanë vizituar qytetin e Durrësit në 10 muajt e parë të këtij viti duke e bërë këtë qytet, pikën më të rëndësishme të turizmit në vend.