NGA: AFRIM KRASNIQI
Në ditët në vijim nis sesioni i tretë parlamentar i legjislaturës 2021-2025. Me Kushtetutë, Parlamenti është institucioni ynë kryesor në sistemin qeverisës dhe zhvillimet aty do të duhet të kenë ndikim thelbësor për shtetin, shoqërinë dhe qytetarët.
Në realitet, Parlamenti vijon prej disa legjislaturash të jetë ushtrues formal i funksioneve kushtetuese, duke çeduar ndjeshëm nga funksionet e tij thelbësore: kontrolli i pushtetit ekzekutiv (Parlamenti nuk e kontrollon qeverinë, por ndodh e kundërta), funksioni zgjedhor (Parlamenti në vend të funksionit zgjedhor kryen kryesisht funksion noterizues/ emërues), funksioni ligjvënës (mbi 90% e nismave janë të pushtetit ekzekutiv dhe nuk ka asnjë rast të refuzimit të tyre, mbi 80% e nismave ligjore të deputetëve refuzohen), funksionin përfaqësues (me sistemin tonë zgjedhor deputetët më shumë se përfaqësues të qytetarëve janë përfaqësues të liderëve politikë).
Besimi publik te Parlamenti dhe deputetët vijojnë të jenë në kuota minimale, hendeku midis “të zgjedhurve” dhe qytetarëve mbetet shqetësues dhe në një vend të varfër si Shqipëria “politika” vijon të jetë biznesi kryesor fitimprurës.
Pyetja mbetet: cilat janë pritshmëritë dhe sfidat e sesionit të ri parlamentar? Kuvendi e ka zgjedhur Presidentin dhe nuk ka procese të tjera të rëndësishme zgjedhore, nuk ka ndonjë nismë të rëndësishme reformatore në agjendë, nuk priten ndryshime të qeverisë ose në qeveri dhe as zgjedhje të parakohshme, si dhe merr fund edhe periudha e konflikteve të ashpra Parlament–President. Sesioni shtator-dhjetor 2022 mbetet një sesion i zakonshëm, fazë përgatiture për zgjedhjet lokale të pranverës. Në këtë kuadër, një analizë e detajuar e përvojës dhe pritshmërive tregon se në sesionin e ri parlamentar:
Kuvendi pritet të ketë vendimmarrje për reformën administrative e territoriale dhe reformën zgjedhore. Për çështjen e parë produkti do të jetë negociues dhe lobues, mund të sjellë korrektime të ndarjes zonale, por nuk sjell ndikime të mëdha politike dhe as standarde të reja qeverisëse. Për të dytën ka një konsensus të heshtur për të mos ndryshuar asgjë të rëndësishme, përveç disa teknikalitete që bëjnë pjesë në rekomandimet e ODIHR/OSBE.
Kuvendi pritet t’i paraprijë fushatës së ardhshme elektorale përmes dy sjelljeve të kundërta dhe një tipari të njëjtë: së pari, maxhoranca me nisma provokuese ditore, si ajo për ndryshimin e ligjit të dosjeve, retorika ndaj politikanëve “non grata” apo hetimet që po zhvillon SPAK për eksponentë të opozitës. Së dyti, opozita me denoncime të vazhdueshme e akuza për skandale korruptive dhe delegjitim të qeverisjes.
As njëra dhe as tjera nuk do të kenë produkt legjislativ dhe as impakt në sistemin politik, gjithsesi mbeten “armë” të përhershme politike para fushatave elektorale. Paradoksalisht, maxhoranca ka interes që një pjesë e opozitës drejtohet edhe më tej nga një politikan “non grata” ashtu si opozita ka interes që qeveria të përfshihet në skandale financiare, – të dyja janë interesa jo për zgjidhje problemi, por për të pasur alibi e “lëndë të parë” për të justifikuar veten.
Tipar i njëjtë mbetet retorika denigruese, shpesh jo etike dhe diskriminimuese që përdoret kryesisht nga liderit politikë, gjuhë e cila pritet të vijojë edhe gjatë këtij sesioni. Ky tipar i përbashkët vjen sa nga kultura e “armikut” politik të periudhës komuniste, sa nga paaftësia për luftë politike me argumente dhe ide, aq edhe nga fakti sesa më të korruptuar dhe arrogantë të jenë politikanët aq më agresivë bëhen ndaj kërkesave për transparencë e llogaridhënie.
Gjatë sesionit duhet të marrë zgjidhje kriza e institucionit të opozitës. Prej shtatorit 2021, ende opozita nuk ka zgjidhur ende çështjen e legjitimitetit dhe përfaqësimit. Dy grupe rivale pretendojnë rolin e saj, nuk ka deklarim të qartë të deputetëve në grupe dhe për pasojë mungon opozita institucionale në konceptin e parlamentarizmit. Deputetët e opozitës i ngjajnë më shumë grupeve miqësore që kanë humbur rrugën dhe ecin pa orientim sesa një strukture solide, politike, kolektive dhe institucionale.
Për shkak se me institucionin e opozitës është i lidhur përfaqësimi, drejtimi dhe organizimi i Kuvendit (zv.kryetar, komisione, nisma ligjore, agjenda, debatet, Byroja dhe Konferenca e Kryetarëve), kriza kthehet në krizë institucionale për vetë Kuvendin dhe jetën parlamentare. Zgjidhja mund të vijë me deklarimet e reja të deputetëve në fillim të sesionit, me një vendim gjykate ose me mjete kompromisi politik, por në çdo rast kriza tek opozita nuk duhet përdorur si pretekst nga maxhoranca për të injoruar mekanizmat e kontrollit dhe përfaqësimit parlamentar. Nga ana tjetër, zhvillimet joparlamentare, si ato që lidhen me aktivitetin e kryetarit të ri të LSI/PL, etj., ndonëse ndikojnë, nuk do mund të zëvendësojnë rolin parlamentar të opozitës.
Aspekti i fundit me ndikim në sesionin e ri parlamentar është raporti me të drejtën dhe drejtësinë. Parlamenti nuk pritet të ketë nisma të reja ligjore për ndërhyrje në Kushtetutë apo legjislacionin e Reformës në Drejtësi, por pritet të ketë nisma hetimore për raste të konfliktit të interesit, pritet vendimmarrje refuzuese lidhur me nismën për vetingun në politikë, me pak besim, por ende shumë shpresë, pritet të ketë rezultate konkrete të SPAK ndaj 4-5 deputetë që vijojnë të jenë objekt hetimi, pritet të ketë lista të tjera “non grata” ose sanksione nga SHBA e Britania e Madhe, si dhe pritet që disa deputetë të përgatiten për të kaluar si kandidatë në zgjedhjet vendore 2022.
Së fundi, por me shumë rëndësi, – sesioni ri parlamentar fillon në një moment politik të ri: është sesioni parë në etapën e re të negociatave për anëtarësim në BE dhe si i tillë, Shqipëria politike dhe Parlamenti do të duhet të maten jo me të kaluarën, por me standardet e një vendi anëtar në BE. Deklarimet lidhur me amnistinë fiskale, shtetësinë për të tretët apo vijimin e PPP-ve, korrektimeve në politikën e jashtme e të sigurisë, etj., janë test sa provokim, aq edhe test për Tiranën zyrtare. Në procesin e ri të integrimit, Parlamenti ka rol aktiv dhe modeli kroat apo slloven tregon se Parlamenti mund të jetë institucioni udhëheqës i procesit të negociatave dhe përafrimit me BE-në.
Qeveria dhe ministrat mund të ndryshojnë, negociatorët gjithashtu, Parlamenti ka mandat të plotë dhe ai duhet të përfaqësojë shumë më tepër sesa vullnetin ekzekutiv të një partie. Debati rreth këtij roli dhe rreth aftësisë për të kaluar në një stad të ri parlamentar do të mbetet sfida tjetër thelbësore gjatë sesionit të ri parlamentar.