I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar reagoi dhe njëherë për çështjen e Asociacionit për komunat me shumicë serbe, duke kërkuar nga qeveria e Kosovës një propozim konkret përpara takimit të 2 majit në Bruksel mes Kurtit dhe Vuçiç.
Sipas Zërit të Amerikës, zv/ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore tha se ka pasur përparim lidhur me këtë çështje dhe një evoluim të jashtëzakonshëm në qëndrimin e qeverisë së Kosovës dhe në veçanti të kryeministrit, për të pranuar këtë detyrim ligjor.
“Është një detyrim ekzistues në bazë të marrëveshjes së Brukselit dhe ishte shumë e vështirë për këtë qeveri dhe parti që ta pranonte si të detyrueshme. Por tani po e konsiderojnë si detyrim, janë pajtuar me të dhe kanë thënë publikisht se cila duhet të jetë korniza dhe parametrat e Asociacionit. Dhe ne pajtohemi me këto parametra”, tha Escobar.