Gjatë takimit të presidentit Vuçiç me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Hill në Beograd, është diskutuar për procedurën e miratimit të kërkesës së Kosovës për blerjen e raketave antitank Javelin.
Me këtë rast, ambasadori Hill e ka njoftuar presidentin Vuçiç për vendimin amerikan për të pranuar kërkesën e Kosovës për blerjen e “Javalin”.
Vuçiç tha se ky informacion është një zhgënjim i madh për Serbinë, por se ata do të punojnë me SHBA-në për ruajtjen e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Ai më herët ka shkruar në Instagram se ka pasur një bisedë të hapur me ambasadorin Christopher Hill.
“Ne diskutuam edhe për pozicionin ndërkombëtar të Serbisë, situatën në Kosovë dhe vazhdimin e dialogut me Prishtinën, si dhe për ngjarjet aktuale gjeopolitike. Konfirmuam përkushtimin tonë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe forcimin e miqësisë dhe bashkëpunimit Serbi-SHBA”, ka shkruar Vuçiç.