Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara ka deklaruar se shpreson që të ketë sa më shumë korridore humanitare që bëri të mundur evakuimin e rreth 100 civilëve ukrainas nga uzina e çelikut Azovstal në qytetin e Mariupolit.
Kryqi i Kuq dhe OKB-ja deklaruan më herët se 101 civilë u evakuuan nga tunelet e uzinës në qytetin e shkatërruar të Mariupol të Ukrainës, por paralajmëruan se të tjerët mbeten të bllokuar. Ky ishte evakuimi i parë i civilëve nga fabrika gjigante e çelikut, ku ushtarët dhe civilët ukrainas kanë mbetur të bllokuar për javë të tëra, duke u fshehur ndërsa forcat ruse rrethuan dhe sulmuan qytetin.
“Shpresoj që bashkërendimi i vazhdueshëm me Kievin dhe Moskën të çojë në më shumë pauza humanitare që do t’u lejojnë civilëve kalimin e sigurt larg luftimeve dhe ndihma për të arritur njerëzit ku nevojat janë më të mëdha,” tha António Guterres.
Gjatë një video-konference për shtyp me gazetarët në selinë e OKB-së në Nju Jork, koordinatori humanitar i OKB-së për Ukrainën, Osnat Lubrani, tha gjithashtu se shpreson se evakuimi – i cili u zhvillua gjatë fundjavës – mund të përsëritet diku tjetër.
“Ka ende civilë të bllokuar, disa prej tyre mund të kenë pasur frikë të dalin jashtë. Disa prej tyre ndoshta nuk ia dolën dot”, tha Lubrani, megjithëse nuk ishte në gjendje të specifikonte numrin e njerëzve që kishin mbetur.