Shefat në Australi janë paralajmëruar për një sëmurje masive të stafit të tyre për të parë episodin e parë të sezonit final të “Game of Thrones”, që transmetohet sot.
Seria popullore e HBO transmeton sot episodin e parë të sezonit të tetë, që pritet të shënohet si një ngjarje historike në historinë e televizionit.
Por në Australi, orari i transmetimit të saj i bie 9 e mëngjesit me orën atje, dhe në këtë orë të gjithë janë në punë.
Avokati i një kompanie punësimi, Daniel Stojanoski thotë se pritet që një numër i madh punonjësish të marrin të hënën pushimë, raporton The West Australian.
“Ligjërisht ata mund ta bëjnë këtë, apo të gënjejnë në mënyrë joligjore se janë sëmurë. Por më duhet të them se shumë njerëz do e marrin pushim për të parë Game of Thrones sepse është e hënë, dhe ju leverdis”, ka thënë Stojanoski.

Megjithatë ai ka një paralajmërim për punonjësit, duke i këshilluar që të mos gënjejnë sikur janë sëmurë, por ti kërkojnë shefit të tyre orare më fleksible, për të nisur punën më herët apo për të përfunduar më herët.
“Game of Thrones” nisi transmetimin e parë në 2011, në bazë të romanit të shkruar nga George R.R. Martin dhe mori famë botërore.