Sheki Useini është shqiptar nga Maqedonia, por që jeton dhe vepron në Zvicër që nga viti 1986. Që nga fëmijëria ka qenë adhurues i pasionuar pas leximit, spiritualitetit dhe arteve marciale. Shumë herët në rininë e tij i eshte përkushtuar pas njohjes së ligjeve universale, filozofisë, psikologjisë, metafizikës si dhe njohjes së natyrës së meditimit, duke praktikuar rregullisht teknika të ndryshme të meditimit. Ndërkohë ai është mësues i liçencuar i OSHO, meditimit dinamik, trajnues i motivimit dhe suksesit, autor i dy librave. Prej 15 vitesh ai është edhe sipërmarrës i suksesshëm në Zvicër. Tirananews.al realizoi një intervistë me z. Sheki Useini.
1. Ju menaxhoni një klub ose grup, VETVETJA, ku aplikohet meditimi, motivimi dhe suksesi apo duke qenë, këta të 3-ja janë pjesë e jona?
Koncepti VETVETJA ka qenë një nga synimet e kahershme që kam pasur. Unë besoj thellë se për mua kjo është mënyra më dinjitoze dhe më e sinqertë, që mund të bëj për shoqërinë dhe njerëzimin në përgjithësi. Kontributit të kësaj forme nuk mund ti skadoj afati dhe rrënjët që do të lëshojë ky model i të menduarit dhe të vepruarit, do të ofroj padyshim energjinë e duhur të transformimit të individit dhe shoqërisë drejt kultivimit të vlerave relevante, siç janë Dashuria, Paqa, Mirënjohja, Vetërespekti dhe Respekti reciprok, Besnikëria, VETËNJOHJA, suksesi dhe guximi i duhur për ta jetuar atë jetë që e meriton. Meditimi, Motivimi dhe Suksesi janë tre shtyllat kryesore ku mbështetet filozofia e këtij koncepti. Natyrisht, këta janë edhe shtyllat për të cilat ka nevojë INDIVIDUALITETI i secilit njeri, me qëllim që rritja dhe zhvillimi në Jetë të ketë stabilitet, plotësim të brendshëm dhe para së gjithash të mos jetë i njëanshëm. VETVETJA është gërshetimi i ngushtë i këtyre tre komponenteve, që shtye kryekëput drejt vetëdijësimit për veçantinë tonë, potencialin, mundësitë, talentin si dhe vetëdijësimin se nuk jemi të përhershëm këtu.
Për momentin VETVETJA menaxhohet nga një grup i njerëzve të mrekullueshëm, vizionarë dhe shumë entuziast.
2. Çfarë shërbimi mundësohet nga klubi VETVETJA?
Klubi VETVETJA është në konstituim e sipër dhe aty mund të antëtarsohet secili pa pagesë. Qëllimi është krijimi i sinergjive unike me fokus konstruktiv. Ne vazhdojmë të funksionojmë si „Koncepti VETVETJA“ të stacionuar në rrjetet sociale si dhe nëpërmjet web faqes. Ky Koncept ofron në mënyrë sistematike punime, informacione, seminare, trajnime, video, libra dhe në veçanti konsultime individuale dhe grupore, me të vetmin qëllim, që secilit ti ofrojë ENERGJINË dhe METODËN përkatëse për të kuptuar më mirë veten, meditimin, talentin, potencialin, ligjet univerzale, mundësinë për një jetë të shëndoshë, të lumtur, paqësore, të plotësuar dhe me plot dashuri dhe SUKSESE. Rritja dhe zhvillimi individual, si dhe krijimi i VLERAVE që forcojnë bashkëjetesën, ndjenjën e përkatësisë, mirëqenien, pozitivitetin dhe suksesin e përbashkët, do të jenë gjithmonë FOKUSI prioritarë e aktivitetit të mëtejshëm.
3. Çfarë e mban të izoluar qenien njerëzorë?
Mendja e njeriut e izolon Qenien Njerëzore, madje ajo mund të bëhet edhe burg i përjetshëm për të! Ajo, nëpërmjet intelektit krijon kufizimet, fragmenton, justifikon, planifikon dhe interpreton. Ajo ka tendencë të dominojë në këtë „lojë“, mirëpo ne nuk jemi vetëm Mendja, por jemi edhe Trupi, edhe Shpirti, edhe Vetëdija. Vetëm një Vetëdije e qartë mbi domosdoshmërinë e harmonisë së plotë mes Mendjes, Trupit dhe Shpirtit, do ta çlirojë nga izolimi, respektivisht do të mundësojë shpërthimin e Njeriut të Ri me vlera më të fuqishme për një shoqëri të Re me më pak xhelozi, zili, krahasim, konkurrencë dhe beteja.
Mosnjohja e mjaftueshme e Vetvetes, mungesa e vullnetit të njeriut që të gjurmojë në brendi të tij si dhe inferioriteti ndaj ligjeve univerzale, e forcon edhe më tepër izolimin e Qenies Njerëzore.
Nëse Mendja e njeriut, do të vazhdojë edhe mëtej ta luaj rolin e Shefit në Qenien Njerëzore, atëherë do të vazhdojë historia e njerëzimit ashtu si deri tani. Kjo histori deri tani nuk ka qenë paqësore dhe do të vazhdojë të ngel si e tillë! Mendja e modernizoi dukshëm civilizimin, por nuk e solli paqën, ajo e shtoi bollëkun, por nuk e zvogëloi varfërinë, prodhoi ekspertë në fusha të ndryshme, por edhe i shtoi edhe më tepër problemet. Nëse mendja nuk do të mësohet ta ndëgjojë Zemrën, Shpirtin dhe të bashkpunojë me intelegjencën trupore, që është një mister akoma i pazbuluar sa duhet, atëherë Qenia Njerëzore do të ngel edhe mëtej e izoluar!
4. Çfarë duhet të bëjmë apo të mendojmë që mos kemi frikë?
Ne nuk mund të mendojmë që të mos kemi frikë, pasi vetë mendja me të menduarit e saj është krijuesi i drejtpërdrejtë i frikës. Por ajo që mund të bëjmë është të kuptojmë frikën dhe prejardhjen e saj. Kjo nuk mund të ndodhë nëpërmjet mendjes, por duke e qetësuar atë. Qetësia është e domosdoshme. Kjo mund të ndodhë vetëm duke lejuar të lidhemi me të Tashmen. Mendja e njeriut nuk ka vetëdije për të Tashmen, puna e saj është e kaluara dhe e ardhmja. Të lidhesh me të tashmen, do të thotë të lidhesh drejtpërdrejtë me jetën, me burimin ku ndodhë jeta. Ajo që e mundëson këtë është Meditimi. E tashmja është „strehimorja“ ku mund të qëndrosh i çliruar nga çdo lloj frike dhe jashtë influencës mendore. Nëse nuk do të ndodhë kjo, atëherë njeriu do të vazhdojë edhe mëtej ta kultivojë frikën. Frikërat janë të ndryshme dhe prezenca e vazhdueshme e tyre në brendinë tonë, do të shkaktojë edhe mëtej çrregullime të shumta, qoftë në shëndetin fizik apo të atij mental, dhe me këtë do ta vështirësojë edhe më tepër beshkëjetesën. Frika është prodhuesi kryesorë i stresit. Para ca kohe, Organizata Botërore e Shëndetit e quajti Stresin dhe Depresionin EPIDEMIA e Shekullit XXI. Nëse nuk do të mësojmë t’i kuptojmë burimet e frikës, atëherë kjo epidemi do të vazhdojë ta dëmtojë edhe mëtej njerëzimin në përgjithësi.
5. Një mesazh për ata që të ndjekin, për të qenë të suksesshëm në jetë dhe në biznes?
Për të qenë i suksesshëm në jetë, së pari duhet t`i bësh 2 pyetje vetes. E para është: Çfarë njeriu dua të bëhem ? dhe e dyta: Si do të nxjerr më të mirën e mundshme nga vetvetja?
Kur do të arrish një QARTËSI dhe HARMONI, nës mes asaj se çka dëshiron të bëhesh dhe çfarë potenciali ke sjell me vete, atëherë do të jeshë në baraspeshë të qëndrueshme drejt pjekurisë në jetë dhe poashtu rritjes në biznes.
Nuk është kuptimplotë, as Jeta që synon të bëjë vetëm ndonjë lloj biznesi në rrugëtimin e saj, por as edhe ai Biznes, të cilin ti e paguan me mungesën e lumturisë dhe boshatisjen e brendshme.
Ajo, me të cilën dua të rumbullaksoj këtë intervistë është kjo: nëse dëshiron të bëhesh mjek, atëherë do ta studion mjeksinë, nëse dëshiron të bëhesh avokat, atëherë do ta studion juridikun, e kështu me rradhë; por nëse dëshiron të bëhesh VETVETJA, atëherë kah do të ja mbashë?! Në fakt ky është edhe njëri nga inspirimet e mia kryesore, që të ndërtoj KONCEPTIN VETVETJA, që të ofrojë një alternativë të qëndrueshme në këtë drejtim.
Të gjithë njerëzit kanë një qëllim të përbashkët: të gjithë dëshirojnë të jetojnë të lumtur dhe askush nuk don të vuaj në këtë Botë. Vuajtjen nuk e meriton askush! Për këtë qëllim të përbashkët duhet dhënë kontributin e parezervë dhe me një fokus të qëndrueshëm.
Anduena Sefgjini