Ambasada e SHBA-së në Tiranë, ka komentuar përplasjet për kreun e grupit parlamentar të PD, ku shprehet se besojnë se institucionet demokratike funksionale, përfshi një opozitë, janë jetike për çdo demokraci të shëndetshme.
Ambasada shprehet për “News 24” se nuk është roli i saj që të zgjedhë se kush udhëheq partitë politike në Shqipëri.
Po ashtu shton se nuk kanë ndryshuar pozicionin në lidhje me individë të shpallur non-grata në Shqipëri, ndërsa thekson se nxisin të gjithë aktorët që të shqyrtojnë me kujdes angazhimet e tyre me figura të tilla.
Reagimi i plotë
Shtetet e Bashkuara besojnë se institucionet demokratike funksionale, përfshi një opozitë, janë jetike për çdo demokraci të shëndetshme. Shtetet e Bashkuara takohen rregullisht me komisionet parlamentare në lidhje me legjislacion kyç, të tillë si ai për Avokatin e Popullit, i cili luan një rol të rëndësishëm në reformën në drejtësi.
Nuk është roli i ambasadës që të zgjedhë se kush udhëheq partitë politike në Shqipëri. Gjithashtu, nuk e kemi ndryshuar pozicionin tonë në lidhje me individë të shpallur (non-grata) në Shqipëri dhe nxisim të gjithë aktorët që të shqyrtojnë me kujdes angazhimet e tyre me figura të tilla.