Mançester Siti ka siguruar praninë në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve, duke mundur edhe në ndeshjen e dytë Borusia Mynshengladbah në një sfidë të dominuar lehtësisht. Skuadra e Pep Guardiolës ka triumfuar me shifrat 2-0, ashtu si në ndeshjen e parë dhe e sheh veten përsëri mes 8 më të mirëve të turneut.
Dy gola të shpejtë të De Bryjn dhe Gyndogan mbyllën ndeshjen që pa 18 minutash dhe bënë të qartë se kush do të vijonte më tej në turne. Gjermanët u përpoqën, por ishin shumë larg çdo pretendimi të mundshëm për të përmbysur rezultatin ndaj skuadrës së Guardiolës që kishte fituar 2-0 edhe ndeshjen e parë.
Mançester Siti në Europë ka braktisur stilin “aventurier” me ekipin e hedhur tërësisht në sulm, duke evituar gabimet e edicioneve të mëparshme dhe kështu ka filluar të administrojë rezultatet. Ndaj fitorja e sotme ishte shumë e thjeshtë për ekipin anglez, i cili vazhdon të jetë në garë për të katër turnetë në të cilët merr pjesë, 3 në Angli dhe Ligën e Kampioneve ku do të njohë kundërshtarin e çerekfinaleve ditën e premte.
M. Siti-B. M’Gladbah 2-0 (2-0)
12′ De Bryjn, 18′ Gyndogan