Qarku i Durrësit vijon të përballet me situatë të rënduar për shkak të reshjeve intensive dhe daljes nga shtrati të lumit Erzen dhe kanaleve përreth. Strukturat e Bashkisë, Policisë, OSHEE-së, Forcave të Armatosura dhe emergjencave civile janë angazhuar në terren për monitorimin dhe ndërhyrjen e menjëhershme.
Në total, janë evakuuar 667 banorë, të akomoduar në familje të afërme, hotele dhe komplekse të përkohshme, ndërkohë që janë shpërndarë mbi 700 pako ushqimore për qytetarët e prekur. Ndërkohë në Krujë janë evakuuar rreth 30 persona.
Sipas një raportimi të Emergjencave Civile, zhvillimet më problematike shihen në Njësitë Administrative Sukth, Katund i Ri, Rrashbull dhe lagjet përreth, ku janë përmbytur mijëra hektarë tokë bujqësore dhe dhjetëra banesa.
Në Bashkitë Krujë dhe Shijak, situata vijon të jetë e ndërlikuar në akset rrugore dhe banesat pranë lumenjve, me disa familje të evakuara dhe argjinatura të dëmtuara. OSHEE ka rikthyer pjesërisht furnizimin me energji elektrike, ndërsa puna për riparimin e dëmeve dhe për mbrojtjen e banorëve vijon pa ndërprerje.
Autoritetet bëjnë apel për qëndrimin e qytetarëve në banesat e sigurta dhe paralajmërojnë se ndërhyrjet do të vazhdojnë në të gjitha zonat e prekura deri në normalizimin e situatës.
