Shkrija e Akademisë së Studimeve Albanologjike është bërë temë diskutimi këtë të enjte në Kuvend. Deputetët e opozitës kanë thirrur një interpelancë me ministren e Arsimit, Evis Kushi. Interpelanca me ministren do të kryhet nga deputetja përgjegjëse për çështjet e arsimit dhe kulturës, Ina Zhupa.
Deputetja e PD-së Ina Zhupa, tha se shkrirja e Studimeve Albanologjike është bërë për t’i plotësuar dëshirat politike Skënder Gjinushit. Zhupa tha se me vendimin e qeverisë shkelen liritë akademike.
“Bëtë një VKM për ti plotësuar dëshirat politike Gjinushit! Po i ktheni Studimet Albanologjike në vasalë të Akademisë së shkencave. Ju bëni një VKM ku prishni Akademinë e studimeve Albanologjike ku shkelni ligjet e vendimet e GJK-së pasi shkelni liritë akademike. Ju shkelni një institucione që është pjesë e konferencës së rektorëve dhe e fusni brenda akademisë së shkencave duke i shkelur lirinë akademike. 15 vite në atë Akademi kanë ndryshuar projektet që ata po punojnë sot. Si e zgjidhni ju duke i bërë vasalë të Skëndër Gjinushit”,-tha Zhupa.
Ministrja e Arsimit, Evis Kushi u shpreh se akademikët nuk po hidhen në rrugë. Këshilli i Ministrave, ka vendosur shkrirjen e institutit të Akademisë së Studimeve Albanalogjike dhe transferimin e saj te Akademia e Shkencave. Kushi tha se një vendim i tillë ishte i domosdoshëm për rritjen e nivelit të kërkimit shkencor, duke theksuar se ASA si institucion nuk ishte i akredituar ndërsa prej 8 vitesh nuk kishte regjistruar asnjë student.
“Kryetari i Akademisë së Shkencave është plotësisht legjitim. Akademia e Shkencave është institucioni që na bën krenar. Nuk flitet për shkrirje por bashkim. Si me një të rënë të lapsit e mbyllni? Ja ku ka shkresat. Unë personalisht në qershor 2021 i jam drejtuar akademisë së studimeve të riorganizohet në përputhje me ligjin. por asnjëherë nuk kanë pranuar të riorganizohen sipas ligjit. Të justifikojmë shkeljen e ligjit? Nuk ka student. Nuk është regjistruar asnjë student për 8 vite. Zero. Nuk po i hedhim në rrugë por po garantojmë transferimi në instucione të larta që kanë programe të ngjashme. Gjithçka transferohet, asgjë nuk hidhet në erë. Këta 100 studiues do të ngrihen në nivel të ri. E thoni vazhdimisht i keni bërë nder Gjinushit, sikur Gjinushi do ta marrë në shtëpi Akademinë”,-tha Kushi.