Shumë shqiptarë kanë marrë këtë të shtunë, më 13 dhjetor, rrugën drejt kryeqytetit të Maqedonisë së Veriut për t’u bërë pjesë e protestës së thirrur nga organizatat e veteranëve në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Me simbole, flamuj dhe pankarta të shumta, sheshi “Skënderbeu” në Shkup ka nisur të mbushet nga një numër i madh pjesëmarrësish.
Kjo është protesta e pestë, pas atyre të mbajtura në Prishtinë, Tiranë, Strasburg dhe Hagë. Klan Kosova shkruan se nga pikëkalimi kufitar mes Kosovës e Maqedonisë së Veriut, shumë qytetarë kanë marrë me vete pankarta me simbole dhe flamuj të shumtë kombëtarë.
Një qytetar tha se ka marrë pjesë në të gjitha protestat dhe se edhe kësaj radhe ka ardhur pa hezitim.
Protesta e thirrur në Shkup në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së ka bërë bashkë Fatmir Limajn, Hysni Gucatin dhe Ali Ahmetin, si dhe vëllanë e ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili po gjykohet në Hagë.
Nga OVL e UÇK-së kanë bërë të ditur se ky organizim është paqësor dhe se synohet vetëm të kërkohet drejtësi për katërshen e UÇK-së.
