Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç thotë se shërbimet sekrete të disa vendeve perëndimore kanë bërë presion kundër korrigjimit të kufijve siç e konsideron ai midis Kosovës dhe Serbisë.
“Sot e kuptoj mirë se atë që e kam ofruar nuk ka mundur të kalojë për shkak të presioneve të fuqishme të disa vendeve, shërbimeve të tyre sekrete, të cilat i aktivizuan të gjitha agjenturat në vende të ndryshme, edhe ato politike edhe ato mediatike që të punojnë apriori kundër një zgjidhje të tillë” ka thënë Vuçiç.
Pas dështimit të kësaj ideje, e cila gjeti përkrahje edhe në Kosovë nga Presidenti Hashim Thaçi, Vuçiç ka thënë se Kosova do ta fitojë sovranitetin e plotë.
“Cila është zgjidhja tani, përveç asaj që Kosova dhe Metohia, jo me dëshirën time ose qe unë e kam njohur, do ta fitojë pavarësinë dhe sovranitetin në tërë territorin.
Kështu që unë do të pyes shumë ekspertë që kanë protestuar ‘Çfarë keni bërë?’ Si është e mundur që ju nuk mund ta shihni realitetin? Pse ju shqetësonte mundësia që Serbia të merrte diçka për popullin e saj?”, pyeti Vuçiç.