Vdekja e 14-vjeçarit ka shokuar mbarë shqiptarët. Martin Cani u godit me thikë në zemër nga shoku i tij i klasës. Nga ana tjetër, shokët e Canit janë të tronditur pas ngjarjes së rëndë.
Njëri prej tyre ka rrëfyer për “Shqipëria Live” se sherri mes dy të rinjve ka ndodhur në oborrin e shkollës që prej ditës së premte, dhe “sqarimi” do bëhej të hënën. Ai tha se sherri ndodhi pasi u shtynë dhe u shanë brenda në oborrin e shkollës.
“Sherri ndodhi të premten te shkolla. Viktima e shau atë dhe autori e qëlloi. U zunë për një shtyrje në oborrin e shkollës. Nuk është e vërtetë që janë zënë për një vajzë, por një sherr që ka ndodhur te oborri i shkollës. Janë zënë me mesazhe dhe e lanë pas shkolle qe të sqaroheshin. Kur dolëm nga shkolla isha me Martinin, unë ndërrova rrugë, ai shkoi të sqarohej. Pash Martinin në tokë, por nuk e pashë momentin e sherrit. Lajmëruam policinë dhe ambulancën”,-tregoi shoku i Martinit.