Lajmi për ndarjen e parakohshme nga jeta, shkaktoi dhimbje të thellë në botën e artit, dhe në mesin e shqiptarëve. Shpat Kasapi u rrit duke u bërë një nga zërat më të dashur të muzikës shqiptare. Talenti i tij u shfaq që në fëmijëri, kur vetëm 13 vjeç fitoi çmimin e parë në festivalin “Bletëzat ’98”, duke shënuar fillimin e një rruge artistike që do të zgjaste më shumë se dy dekada.
Në vitet që pasuan, ai shkëlqeu në festivalet më të rëndësishme të skenës shqiptare, duke fituar çmimin e parë në “Këngët e Stinës 2002” në Tiranë, çmimin e publikut në “Nota Fest 2003” dhe “Albafest 2003”, dhe duke u bërë një emër i njohur për publikun shqiptar. Karriera e tij u ngjit me ritme të shpejta, ndërsa Kasapi u nderua me çmime të shumta, përfshirë Pop Idol 2004, vlerësimet për Interpretuesin më të mirë në Top Fest dhe Netët e Klipit, si dhe çmime të rëndësishme në Kënga Magjike dhe Zhurma Show Awards.
Këngë si “Pa ty s’jetoj”, “Mëkatare”, “Kush të ndau prej meje”, “S’e pranon”, “Sillu p’shtillu”, “Sa e du dashnin”, “Aroma e saj” dhe shumë të tjera e shndërruan në një ikonë muzikore, ndërsa albumet e tij mbeten të dëgjuara edhe sot. Në YouTube, këngët e tij vazhdojnë të mbledhin miliona shikime. “Aroma e saj” ka mbi 5.6 milionë, ndërsa prodhimet e fundit si “Amaneti i babës”, “Valle kosovare” dhe “N’dahem sot” tregojnë se Shpati mbeti aktiv deri në momentet e fundit.
Shpat Kasapi kishte nënshkruar për të qenë banor i ”Big Brother Albania Vip 5”. Ai u priste të futej në shtëpinë më të famshme të vendit, në një rikthim që publiku e priste me kureshtje. Angazhimi ishte konfirmuar dhe finalizuar, por fati ndërhyri tragjikisht, duke e ndërprerë një kapitull që nuk mundi të realizohej.
Këngëtarë, moderatorë, kolegë dhe figura publike mbushën rrjetet sociale me mesazhe tronditëse dhe fjalë nderimi. Jeta dhe karriera e Shpat Kasapit janë një testament i një talenti që nisi herët, u kultivua me punë e pasion dhe la gjurmë të thella në muzikën shqiptare. Ai mbetet një artist që preku zemrat e publikut, një njeri i dashur nga kolegët dhe një emër që do të kujtohet gjatë për këngët, mënyrën si jetoi dhe ndikimin që la pas.
